Kryesia e Partisë Demokratike prej disa orësh zhvillon mbledhje në selinë blu për kandidaturat që do të garojnë për kryetar të PD.

Mbledhja drejtohet nga dy nënkryetarët demokratë Edmond Spaho dhe Edi Paloka, ndërsa Lulzim Basha nuk është i pranishëm.

Gjatë diskutimeve ka pasur debate mes grupit anti-Basha dhe mbështetësve të tij. Grupi kundër Bashës kërkoi shtyrje të datës së zgjedhjeve në PD dhe të bëhet një analizë e humbjes së demokratëve në zgjedhjet e 25 qershorit. Kjo kërkesë e tyre është rrëzuar pasi mori vetëm 11 vota.

Në mbledhje kanë folur disa ish-ministrat të Qeverisë Berisha. Majlinda Bregu është shprehur se Partia Demokratike ka nisur përçarjen përpara 4 vitesh.

“Përçarja e PD ka 4 vite që ka nisur, këtë ja kam thënë dhe Bashës. Nuk merrem me variantin një kundër disave apo disa kundër disave sepse kjo do të shkatërronte përfundimisht Partinë Demokratike”,

ka thënë ish-ministrja e Integrimit.

Edhe Arben Imami theksoi se zgjedhjet për kryetar të PD duhet të jenë të ndershme për të mos pasur kontestime.

“Besimi në PD mund të krijohet vetëm nëpërmjet një gare të ndershme.  Të bëjmë zgjedhje të lira që të kemi kryetar të pakontestueshëm”,

tha Imami.

/tvklan.al