Dekreti i Presidentit për kthimin për shqyrtim të ligjit për masat shtesë për sigurinë publike ka ngjallur debate në Komisionin Parlamentar të Sigurisë. Opozita akuzoi Ministrinë e Brendshme se e ka hartuar ligjin në kundërshtim me relacionet e partnerëve amerikanë ICITAP dhe evropianë PAMEKA, duke paraqitur edhe dokumentet përkatëse.

Flamur Noka:

Ja ku është mendimi i ICITAP: Nuk u dorëzua asnjë relacion, asnjë takim për të shpjeguar tekstin e projekt-ligjit. Ka shqetësim se do ketë barrë financiare për të gjithë. Duhet të ishte paraqitur kostoja si për qeverinë dhe për biznesin. Ky projekt-ligj imponon dhe nuk jep zgjidhje.

PAMEKA thotë: Parimet kryesore janë respektimi i të drejtës së privatësisë. Duhej kuadër ligjor për parandalimin e përgjimin. Shkel të drejtat themelore në Kushtetutë dhe Konventat ndërkombëtare si e drejta për jetën private, për lëvizjen e lirë dhe pa u gjurmuar, në kundërshtim me ligjin e Policisë së Shtetit. Kjo qeveri mashtruese ka fshehur këto dokumente. Projekt-ligji ia transferon detyrimin e shtetit, për ruajtjen e sigurisë publike, bashkisë dhe institucioneve të tjera.  

Zëvendësministri i Brendshëm, Stefan Cipa mbrojti ligjin duke thënë se hartimi i tij është bërë në bashkëpunim me ndërkombëtarët. Kundërshtime për këtë projektligj dhe hije dyshimi për një mungesë serioziteti nga ana e qeverisë pati edhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Luan Rama:

Asnjë institucion nuk ka kosto të llogaritura se janë 3700 institucione arsimore që duhet të vënë kamera. 5 mijë euro për çdo institucion. Për çdo projekt-ligj që ka kosto duhet të marrë miratimin e Ministrisë së Financave. Ka një mijë probleme.

Me 6 vota pro të Partisë Socialiste, 2 kundër nga PD dhe një nga PDIU, dhe 4 abstenimet e LSI, ligji do të kalojë në seancë plenare. Presidenti i Republikës e kishte kthyer këtë ligj për rishqyrtim në Parlament duke e konsideruar anti-Kushtetues, në kundërshtim me Konventën Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe jurisprudencën përkatëse të detyrueshme në Republikën e Shqipërisë.

TV KLAN