Dekorimi nga ana e presidentit Bujar Nishani i 67- anëtarëve të ekzekutuar të Ballit Kombëtar ka shkaktuar debat në Parlament. Dhe pas zëvendësministrit të Mbrojtjes, në to u përfshi edhe kryeministri Edi Rama që replikoi më disa deputete të opozitës.

Replikat vazhduan edhe për gjendjen që po kalon sektori i bujqësisë. Kryeministri Rama foli për rritje të eksporteve bujqësore. Demokratët, për rritje të eksportit të kanabisit.

Duke folur për hec-et në Theth e Valbonë, kryeministri tha se qeveria nga 17 koncesione të dhëna nga paraardhësi iI tij do të anuloje vetëm 6, për shkak të faturës me të cilën shteti shqiptar mund të përballet në gjykatat ndërkombëtare.

Çështja e gjykatave i shërbeu për të bërë edhe një koment për ligjin e vetting-ut. Gjatë seancës plenare kryeministri replikoi me deputetët e opozitës edhe për projektet e Rilindjes Urbane në veri të vendit.

////

Teksa diskutohej projektligji për Mbrotjen e Bimëve, Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Edi Paloka u përfshinë në një debat për bujqësinë dhe kanabisin.

Rama tha se qeveria e shkuar i la fermerët në mëshirë të fatit, nuk lëvizi as gishtin për t’i çuar ujë në parcelë, e nxorri jashtë përdorimit mijëra hektarë për shkak të mungesës së uji. Kryeministri tha se janë produktet bujqësore ato që po eksportohen më shumë dhe se për bujqësinë janë krijuar lehtësira.

Kryeministri foli edhe për Universitetin Bujqësor dhe akuzoi opozitën se e kishte kthyer në territor bereqet.

Qeveria, tha Rama është e angazhuar me një bashkëpunim konkret me Universitetin Bujqësor për ta rikthyer në krye të detyrës së tij, që të jetë një vend ku të zhvillohen praktika të standardeve europiane e ku të referohet çdo sipërmarrës e fermer për të garantuar cilësinë e produkteve të tij.

“Mos harroni që jeni shkatërruesit e shtetit, në çdo sektor. Dhe pasi të kujtoheni për këtë, mundohuni që përveç kritikave të jepni edhe ndonjë ide, sesi sipas jush duhet bërë më mirë, nëse ne po e bëjmë diçka gabim.”

Në kundërpërgjigje të Kryeministrit Rama, Edi Paloka tha: 

“Nuk po japim mendimet tona, por po pasqyrojmë problemet që kanë lidhje jo vetëm me premtimet e bëra në fushatë, por me përkeqësimin e gjendjes që ishte, që nga çmimi i energjisë, naftës, taksës dhe një sërë faktorësh të tjerë që ia vështirësojnë jetën fermerëvë”.

Dhe janë ata vetë, tha Paloka, që e pohojnë një gjë të tillë.

Sa për kanabisin, kreu i Grupit Parlamentar u shpreh se janë rritur eksportet më shumë se kurdo herë tjetër.

“Nga prodhimet bujqësore po është rritur eksporti i kanabisit, 20 ton kanabis është kapur vetëm në 2 javë, ky është realitetit të këtij zotërisë

”, tha Paloka.

Për t’u kthyer tek bujqësia, Rama tha

“për fat të mirë të gjithë ata që jetojnë në fshat janë shumë më të mençur sesa mendoni ju. Falë kësaj dhe eksperiencës që ata kanë është e mjaftueshme për t’u parë ju si cirku. Ju jeni thjeshtë një cirk që argëtoni njerëzit në fshat që kur shkoni atje dhe u thonë ju janë rritur taksat. Çfarë taksash u janë rritur? Po iu është rritur rimbursimi i TVSH – së.

E sa i përket naftës edhe në këtë rast, Kryeministri nuk i kurseu akuzat për qeverinë e shkuar.

“Është e vërtetë që ju dhatë subvencione nafte por ajo shkoi për mercedesa. Nafta sot është shumë më e lirë nga ç’ishte dhe subvencioni është shumë më pak sesa çmimi i ulur. E bënit subvencion ju në fillim pastaj u tërhoqët sepse e patë që jua morën mercedesat

”.

Dekorimi nga ana e presidentit Bujar Nishani i 67 anëtarëve të ekzekutuar të Ballit Kombëtar ishte një tjetër çështje që shkaktoi debat. Kryeministri Rama repikoi me disa deputetë të opozitës.

“Jam me Partizanin, s’jam me Ballin Kombëtar kjo nuk është sekret dhe s’ka asnjë arsye për të ardhur këtu në emër të Ballit Kombëtar dhe për të bërë si fitimtar. Këtu mund të numëroni vetëm sa pula keni shyqer kur keni qenë në qeveri, këtu jeni pasardhësit e ladvdishëm të Ballit Bombëtar, Keni shumë të drejtë ti dekoroni sepse jeni njësoj si ata. E dyta kur shkoni atje te Varrezat e Dshmorëve”,

tha Rama.

“Im atë ka qenë partizan, se di a ka qenë yt atë, por do turpërohesha sot nëse im atë do dekoronte ato që the ti sot këtu. Edhe Mehmet Sehu me aktin që kreu ekzekutimin e 63 anëtarëve të Ballit kërkoi ndjesë dhe e quajti gabim, ky zotria na thotë që ne qenkemi pasardhës etj, ti je rritur nën hijen e atyre monumenteve por s’është mburrje kjo. S’e kam fjalën për monumentet e Enverit, por për pushkatimin e poetëve, ti vazhdo mburru me aktet e tyt eti ne do jemi krenar për baballarët tanë”,

replikoi Paloka.

Debati Rama – Hajdarmataj

Kryeministri Edi Rama u përfshi në debat edhe me deputeten e Partisë Demokratike Mimoza Hajdarmataj për investimet në Bashkinë e Tropojës. Hajdarmataj e akuzoi Kryeministrin se e ka lënë pasdore këtë zona ndërsa ai iu kundërpërgjigj duke e ftuar atë që të shkojnë bashkë në Tropojë për të parë trasformimin e kësaj Bashkie, falë rilindjes urbane.

Ata debatuan për ndërtimin e HEC –eve, pasi deputetja demokrate e akuzoi Kryeminstrin se po shkatërron natyrën për shkak të ndërtimi të HEC –ve. Por kreu i qeverisë replikoi duke i kujtuar deputetes se 11 lejet për ndërtimin e tyre i ka dhënë ish – Kryeministri Sali Berisha.

“Dua ta falenderoj zonjën se ngriti një problem shumë serioz dhe ta ftoj të vijë me mua në Tropojë, do shkoj për pak ditë se kemi mbështetur nga programi kombëtar i Rilindjes urbane, Bashkinë e Tropojës për ta kthyer qendrën e asaj bashkie të re në një hapësirë urbane europiane nga një parkim me gropa dhe me baltë në një rrugë kryesore. Aty në Valbonë bashkë me zonjën që ngriti problemin e hidrocentraleve duhet të flasim hapur me komunitetin pasi janë 11 leje për hidrocentrale që janë dhënë me urdhër të ish -­ kryeministrit nga Valbona. Ish­kryeministër që ka lindur dhe është rritur në grykën e Valbonës e pa të arsyeshme që aty të ndërtojë 11 hidrocentrale dhe në Theth 6 hidrocentrale të tjerë. Shpresoj të më shoqëroni ju në Tropojë, unë shpresoj të shkojmë bashkë dhe ju t’i shihni me sy veprat përgjatë Vjosës për të parandaluar tërbime të tjera të lumit. Pres me zemër në dorë ftesën për të ardhur me mua në Tropojë. Kjo qeveri nuk do bëj mrekulli, por e sigurt është se do bëjë më shumë se sa bëri Saliu bashkë me të gjithë ju, jo ju personalisht se fatmirësisht ju nuk ishit këtu kur ishte Saliu kryeministër”.

“Po i drejtohem zotit kryeministër, unë shkoj jo më pak se dy herë në javë në zonën time, faleminderit për durimin që kishit për përgjigjen që më dhatë. Patjetër do jem me ju dhe me patriotët e mi, do i dëgjoni nga ata vetë që s’ka asnjë dëmshpërblim për virozën e dermatozës, shpresoj të keni durim për familjet që s’kanë asnjë treg, s’do gjeni në këto 3 vjet asnjë serë të shtuar, asnjë gjë s’ka lëvizur në Tropojë do jem me ju dhe do jem aty krahë jush, ju them të shkoni i përgatitur se rrugën e Valbonës e ka bërë zoti Berisha, rrugën e Kombit apo ku shkoni në Shishtavec, po në këto 3 vite e kam kurajon t’ju them faleminderit për rilindjen urbane, por do sjellë 0 punësim dhe 0 lekë për familjet tropojane, do shëtisim, por kthejini sytë nga ato familje që s’kanë më të ardhura për të blerë libra për fëmijët që kanë në shkolla”.

“E nderuar zonjë, unë nuk thashë asnjë fjalë lidhur me problemin që ngritët për infeksionin apo epideminë e bagëtive dhe nuk pretendova asgjë për këtë çështje dhe se kuptoj për ca arsye ma thatë, por ndoshta se keni kuptuar atë që thashë unë. Unë thashë që po, rrugën e Valbonës e kontraktoi qeveria e mëparshme dhe rruga e Valbonës nëse ju shkoni dy herë në javë duhet ta dini mirë se u ndërtua përfundimisht nga kjo qeveri. Edhe rruga e Shishtavecit është po njësoj, po është e vërtetë u kontraktua në kohën e qeverisë tjetër dhe u bënë disa pak punime dhe nuk u shtrua asnjë kiliometër asfalt. Edhe për rrugën e Kombit është e vetmja që mund të konsiderohet me standarde, s’ka përfunduar. Rruga e Kombit përfundon si një grykë shisheje dhe është vend aksidentesh dhe rreziqesh të mëdha kërkon edhe mbi 100 milionë eruo investime të mëdha”.

/tvklan.al