Edhe pse shpërndarja e refugjatëve në vendet e BE-së është e detyrueshme, deri në tetor 2016 në vendet e BE-së janë shpërndarë vetëm 5% e shifrës së synuar.

Komisari i BE-së për refugjatët Dimitris Avramopoulos prezantoi në Bruksel bilancin më të fundit për politikën për refugjatët dhe migrimin në BE. Sipas tij vendet anëtare të BE-së vazhdojnë të pranojnë vetëm pak refugjatë nga “shtetet e radhës së parë” Italia dhe Greqia ku hyjnë shumica e emigrantëve. 

Edhe pse shpërndarja e refugjatëve në vendet e BE-së është teorikisht e detyrueshme, deri në tetor të vitit 2016 në vendet e BE-së janë shpërndarë vetëm 5% e shifrës së synuar, pra vetëm 8.000 refugjatë. Në Greqi ka ende rreth 70.000 vetë që presin për shqyrtimin e kërkesës për azil. BE-ja po e ndihmon Greqinë për t’i bërë të përshtatshme për dimrin strehimoret për refugjatët.

Jo masa detyruese ndaj shteteve refuzuese

Komisioni i BE-së do ta shtojë shpejtësinë e shpërndarjes së refugjatëve nga Greqia dhe Italia në vendet e tjera të BE-së. Kështu  çdo muaj nga Greqia duhet të transferohen për në vende të tjera 2000 dhe nga Italia 1000 refugjatë. Teorikisht ndaj shteteve të tilla Polonia, Hungaria apo Danimarka që nuk kanë strehuar refugjatë Komisioni i BE-së mund të vendosë sanksione. Por Avramopoulos tha se “nuk ka arritur puna deri aty sa të vëmë sanksione apo të përdorim mjete të tjera presioni.” Por as shtetet e tjera nuk u kanë plotësuar kuotat dhe në rastin e Hungarisë apo të Polonisë kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së u pëlqen të flasin më tepër për “solidaritet fleksibël”.

Nga muaji mars do të ketë dëbime për në Greqi

Ndaj Greqisë pritet që nga muaji mars të shtrohet presioni, sepse nga 15 marsi 2017 azilantët që vijnë në vendet e BE-së, Austri, Slloveni, Hungari apo Bullgari, prej Greqisë mund të dëbohen sërish për atje. Kjo bazohet në marrëveshjen e Dublinit III, e cila qe shfuqizuar përkohësisht për shkak të kushteve në Greqi. Komisioni i BE-së mendon se Greqia duhet të përshpejtojë procedurat e azilit dhe të ruajë më mirë kufijtë me Shqipërinë dhe Maqedoninë.  

Turqia nga ana e saj vazhdon ta respektojë megjithë kërcënimet nga Ankaraja marrëveshjen për refugjatët. Por Greqia nuk është në gjendje që t’i dëbojë ata rreth 80 vetë që vijnë në ditë nga Turqia për në Greqi. BE-ja ka vënë në dispozicion të Greqisë mjaft para dhe personel, por Greqia nuk është në gjendje t’i përmbahet marrëveshjes për ekstradimin, ankohen diplomatët në Bruksel.

/Deutsche Welle