Edhe e diela është një nga ditët më të ftohta të muajit janar. Reshjet e dëborës janë ndërprerë, por temperaturat kanë qenë tepër të ulëta në të gjithë vendin gjë që ka vështirësuar jetesën e banorëve në zonat më të prekura nga moti i ftohtë, dhe sidomos qarkullimin rrugor në zonat rurale.

Autoritetet thonë se ka ende akse rrugore nëpër fshatra të njësive administrative në zona të thella malore, të cilat nuk ka qenë e mundur të hapen plotësisht. Firmat kontraktore po punojnë me forca dhe mjete në akset rrugore problematike.

Ndërkohë furnizimi me energji elektrike ka qenë gjithashtu me ndërprerje në zonat e thella, sepse për shkak të ngricave, specialistët e OSHEE e kanë të vështirë lëvizjen me mjete.

Nga ana tjetër, akset nacionale janë plotësisht të qarkullueshme, dhe vetëm në ndonjë segment ka nevojë për përdorimin e zinxhirëve.

Situata në akset rrugore në të gjithë vendin, mëngjesin e sotëm paraqitet:

QARKU KUKËS

Të gji tha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme me zinxhirë. Në Rrugën e Kombit po punohet me mjete borëpastruese për pastrimin e saj nga bora dhe akulli. Akset Kukës- Has-Tropojë dhe Tropojë-Qafë Morinë qarkullimi kryhet me zinxhirë. Akset rurale të Njësive Administrative: Grykë Çajë, Kalisë, Arrën, Surroj, Topojan Shishtavec, vijojnë të jenë të bllokuara.

Akset rurale të Njësisë Administrative Gjinaj, bashkia Has, janë bllokuar nga reshjet e dëborës.

Në disa fshatra të Njësive Administrative, Lekbibaj, Gjinaj, dhe Bushtricë ka pasur mungesë të energjisë elektrike. Grupet e punës së OSHEE po punojnë për të sjellë energjinë elektrike në zonat problematike.

QARKU DIBËR

Aksi rrugor kombëtar, Qafë Bualli-Peshkopi, njësia administrative Maqellarë, qarkullimi kryhet me zinxhirë. Policia po mban në monitorim këtë aks rrugor ndërsa janë angazhuar 4 mjete borëpastruese. Aksi rrugor Peshkopi -Lurë, vazhdon të jetë i bllokuar. Po punohet me një fadromë për hapjen e saj.

Aksi rrugor Peshkopi –Selishtë është i kalueshëm me zinxhirë. Pas një pune intensive është bërë e mundur hapja e këtij aksi rrugor. Rruga Ura e Çerenecit-Steblevë, është hapur dhe qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.

Aksi rrugor Peshkopi-Kala e Dodës, qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.

QARKU SHKODËR

Aksi rrugor Shkodër-Qafë Thore – Theth është i bllokuar, ndërsa trashësia e borës ka arritur 1 metër. Po punohet me 4 fadroma për hapjen e këtij aksi rrugor. Aksi rrugor Shkodër- Bregu Lumit është i bllokuar në vendin e quajtur Mali i Shoshit. Po punohet me 2 fadroma për hapjen e aksit rrugor por ka vështirësi për shkak të ngricave.

Në tre njësitë administrative Shalë, Shosh dhe Pult vazhdon të jetë problem mungesa e energjisë elektrike. Grupet e punës së OSHEE po punojnë për riparimin e defekteve. Aksi rrugor Qaf Mali-Fierzë është i kalueshëm me një kalim nën monitorimin e policisë rrugore. Trashësia e dëborës është 1 metër. Po punojnë 2 borëpastruese dhe 1 fadromë për hapjen e aksit rrugor.

Aksi rrugor Bardhet-Iballë dhe Qafë Qerreti -Qelëz, është i bllokuar. Trashësia e dëborës në Qafë Shari është rreth 70 cm. Po punojnë 2 fadroma për hapjen e aksit rrugor.

Aksi rrugor Fush Arrëz-Qafë Shllak, është i qarkullueshëm me zinxhirë. Trashësia e dëborës është 1 m. Po punojnë 2 fadroma në këtë aks rrugor.

Aksi rrugor Qafë Çelë – Pukë – Fushë Arrës, i kalueshëm me zinxhirë.  Po punojnë 4 borëpastruese dhe 1 fadromë në këtë aks rrugor.

Aksi rrugor Hadroi – Qafë Benë, i kalueshëm me zinxhirë. Po punojnë 1 borëpastruese dhe 1 fadromë për mirëmbajtjen e këtij aksi rrugor.

Ka pasur probleme furnizimi me energji elektrike në bashkinë Pukë dhe në disa fshatra të njësive administrative Iballë, Fierzë, Blerim dhe Gjegjan.

Segmenti rrugor Bogë-Qafë Thore, Selcë (Shkemb i Kuq) – Budaqë (Vermosh) janë të bllokuara. Në vendin e quajtur “Gropat e Selcës” ka rreth 70 cm dëbore.  Po punojnë tre fadroma nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile dhe Ministria e Mbrojtjes për hapjen e akseve rrugore në bashkinë Malësi e Madhe.

Segmenti rrugor Shllak – Temal vazhdon të jetë i bllokuar. Të bllokuara janë dhe disa akse rrugore rurale.

Në bashkinë Vau i Dejës është nisur një fadromë nga Ministria e Mbrojtjes për hapjen e akseve rrugore problematike.

QARKU LEZHË

Aksi rrugor Kallmet-Ungrej, është i qarkullueshëm me zinxhirë. Aksi rrugor Rrëshen- Tuneli i Kalimashit është i kalueshëm me zinxhirë në pjesë të veçanta. Firma kontraktore po punon me 7 borëpastruese për të siguruar kalueshmërinë në rrugë.

Aksi rrugor Rrëshen- Burrel është i hapur por në pjesë të caktuara ka vështirësi kalimi si pasojë e ngricave. Firma kontraktore po punon me fadromë për të mbajtur të hapur rrugën. Akset rrugore rurale të njësive administrative, Fan, Orosh, dhe Selitë janë bllokuar nga dëbora e cila ka arritur trashësinë 35-100 cm. Firmat kontraktore po punojnë në këto zona por puna e tyre është vështirësuar së tepërmi nga era e fortë dhe ngricat.

Në Njësitë Administrative Fan, Orosh dhe Selitë ka mungesë të energjisë elektrike. Grupet e punës së OSHEE po punojnë për të sjellë energjinë në këto zona.  Policia Rrugore po monitoron kalimin e automjeteve në akset rrugore.

QARKU ELBASAN

Aksi rrugor Librazhd – Stëblevë i kalueshëm me zinxhirë.

QARKU KORÇË

Të gjitha akset rrugore janë të qarkullueshme pa zinxhirë, me përjashtim të aksit rrugor Pogradec – Lin, i cili është i qarkullueshëm me zinxhir.  Nuk raportohen probleme të furnizimit me energji elektrike dhe ujë të pijshëm./ tvklan.al