Pjesa më e madhe e Shqipërisë është mbuluar nga moti i keq. Situata është përkeqësuar pas mesditës, ku në pjesën veriore të vendit është shtuar ndjeshëm dendësia e reshjeve. Në një pjesë të mirë të akseve kombëtare, përfshirë dhe rrugën e Kombit, mjetet mund të kalojnë vetëm me zinxhirë.

Reshjet e dëborës u intensifikuan pasditen e së enjtes në veri të vendit.

Autoriteti Rrugor u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve që të evitojnë kalimin në rrugën e Kombit. Si pasojë e reshjeve të dendura borës dhe akullit në rrugë qarkullimi është vështirësuar ndjeshëm, sidomos në Tunelin e Thirrës.

Disa zona të thella malore janë bllokuar. Situata më e rëndë në mbrëmje u raportua në qarkun e Dibrës, ku në disa fshatra të këtij rajoni trashësia e dëborës ka shkuar deri në gjysmë metri.

Në të gjitha akset kërkohet përdorimi i zinxhirëve.

Moti i keq ka përfshirë dhe një pjesë të rajonit të Shkodrës. Edhe pse të gjitha akset rrugore janë të qarkullueshme, pasi firmat e mirëmbajtjes së rrugëve kanë pastruar borën, në zonën e Pukës dhe Tropojës lëvizja e mjeteve bëhet me zinxhirë.

Në qarkun e Elbasanit të gjitha rrugët janë të kalueshme. Më herët ka patur rënie gurësh në disa zona, të cilat janë pastruar nga kontraktori. Po ashtu edhe situata në Korçë, Gjirokastër dhe Llogara nuk ka përkeqësim krahasuar me një ditë më parë. Autoritetet kanë marrë masat për hedhjen e kripës në rrugë, ndërsa po monitorohen drejtuesit e mjeteve për zbatimin e rregullave të sinjalistikës.

Veriu i vendit ka vuajtur edhe mungesën e energjisë elektrike për shkak të dëmtimit të rrjetit nga i ftohti. Tre rajonet më të prekura janë Kukësi, Shkodra dhe Puka./ TV KLAN