Udhëtimi në aksin rrugor Tiranë –Peshkopi është një torturë e vërtetë për dibranët. Askush nuk ka vënë dorë prej vitesh, për pasojë pjesa më e madhe e aksit nacional Qafa e Buallit – Shkopet është e shkatërruar. 

Rruga frekuentohet nga 140 mijë banorë të Qarkut Dibër, por edhe nga Dibra dhe Gostivari i Maqedonisë. Mes të zhgënjyerve ka edhe turistë të huaj. Udhëtimi drejt Tiranës zgjat 4-5 orë.

Qafa e Ulzës – Shkopet dhe Klos – Qafa e Buallit janë dy akset më të rrezikshme, ku humnera arrin deri në 300 metra lartësi.

Shpesh ka ndodhur që shoferët në tentativë për të shmangur rrugën e dëmtuar përfundojnë në humnerë ose në liqenin e Shkopetit.

Rruga  nuk ka barriera mbrojtëse dhe as tabela sinjalizuese.

Ende nuk dihet kur do të nisë rruga e Arbrit, ndërsa rruga aktuale vazhdon të jetë e rrënuar.

Prej tre vitesh drejtoria rajonale e rrugëve u kalua në Shkodër dhe tani askush nuk merr përsipër të informojë se kush është autoriteti përgjegjës për mirëmbajtjen e rrugës Peshkopi – Tiranë.

Megjithëse Dibra me Tiranën ndahen vetëm  nga një mal, Dibranët kanë provuar të gjitha alternativat për të shkuar në Tiranë nga Kukësi, nga Rrësheni, nga Burreli , nga Librazhdi e deri nga Struga e Maqedonisë.

Tv Klan