Ashtu si kundërshtarit të tij politik, Lulzim Basha i ka treguar Kushtetutën edhe ambasadorit amerikan Donald Lu, kur u pyet për qendrimin e diplomatit ne lidhje me zgjedhjen e Kryeprokurorit të përkohshëm.

“Nuk kam komentuar dhe nuk komentoj asnjëherë ambasadorët e huaj. Personalisht nuk mund ta imagjinoj që dikush nga trupi diplomatik, kushdoqoftë, t’i kërkojë Kuvendit të shkelë Kushtetutën apo t’i kërkojë Kuvendit që të mos bëhet vettingu i Prokurorit të Përgjithshëm, sepse kjo do të ishte jo vetëm pa sens, por do të ishte një thikë në shpinë të reformës në drejtësi, për të cilën kanë kontribuar në veçanti, të gjithë përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar”.

Në një bashkëbisedim me gazetarët Basha tha se ligji themeltar i shtetit nuk lë asnjë hapësirë për periudhë tranzitore apo prokuror të përkohshëm. Kryeprokurori, thotë Basha, është e përcaktuar në Kushtetutë që s’mund të zgjidhet pa kaluar vettingun.

 “Kushtetuta nuk lë asnjë hapësirë për periudhë tranzitore apo prokuror të përkohshëm. Një mandat i siguruar në shkelje të Kushtetutës është nul, i pavlefshëm. Prokurori zgjidhet nga KLP me 3/5 e votave me veting, janë përcaktime kushtetuese. Kuvendi ka vetëm një rol të votojë tre nga kandidaturat që i sjell KLP. Vendi duhet të ketë një kryeprokuror, ai që është në detyrë duhet të mbajë detyrën, në të kundërt ai do të kryejë vepër penale”.

Basha e ftoi Kryeministrin Rama të tërhiqet nga ajo që ai e cilësoi puç kushtetues, duke paralajmëruar përballje me qytetarët.

Tv Klan