Kryetarja e LSI ka reaguar pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama për çështjen e deputetit Saimir Tahiri. Në një postim në rrjetet sociale, Monika Kryemadhi shkruan se Rama doli sot të mbrojë, por edhe të shesë sipas interesit bashkëpunëtorin e tij në kriminalizimin e politikës.

“I frikësuari i drejtësisë Edi Rama doli sot të mbrojë, por edhe të shesë sipas interesit bashkëpunëtorin e tij në kriminalizimin e politikës Saimir Tahirin. Këshilltarët dhe miqtë e tij të besuar gati gati e kanë bindur Edi Ramën se ai nuk ka gisht në kanabizimin e Shqipërisë, duke harruar se frika e Edi Ramës është më e madhe se çdo parim apo miqësi e tij”

.

Për Kryemadhin, deklaratat e Kryeministrit drejtuar prokurorisë janë një sulm i pa precedentë ndaj drejtësisë.

“Sulmi i sotëm i paprecedent ndaj atij që deri pak javë më parë tundte flamurin e reformës në drejtësi është shenjë e qartë e aktrimit politik dhe paaftësisë për të kuptuar se kësaj reforme nuk i shpëtojnë dot as peshqit e mëdhenj të politikës. Edi Rama gabon kur dëgjon këshilltarët e tij se artificat në ligjet e reformës në drejtësi mund ta shpëtojnë atë nga drejtësia. Por si njeri i pathelluar nxitohet të deklarojë veten dhe bashkëpunëtorët e tij të pafajshëm duke sulmuar të vetmin organ ligjzbatues që fakton lidhjet e tij direkte me botën e krimit”.

Kryetarja e LSI thotë më tej se qëndrimi i Kryeministrit dhe grupit të PS,

 

nuk është asgjë më shumë vetëm se ikje e përkohshme nga e vërteta e fortë që do sjellë largimin e kriminelëve nga vendimmarrja e Shqipërisë.

“Qëndrimi i tij personal dhe i grupit parlamentar të PS nuk është asgjë më shumë vetëm se ikje e përkohshme nga e vërteta e fortë që do sjellë largimin e kriminelëve nga vendimmarrja e Shqipërisë. Sepse më mirë se të gjjthë, Edi Rama e ka të qartë që opozita nuk është më çështje kartonash të blerë me paratë e krimit, por çeshtje fryme dhe vullneti që do sjellin shumë shpejt largimin e bandave nga pushteti”,

e përfundon reagimin e saj Kryemadhi

./tvklan.al