Presidenti Ilir Meta nuk e ka aprovuar kërkesën e deputetëve të opozitës, të cilët i kërkuan  publikimin e të dhënave të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të zhvilluar në 11 nëntor të një viti më parë, në qendër të së cilës ka qenë çështja e drogës.

Në përgjigjen zyrtare që kreu i shtetit u ka kthyer 7 deputetëve të Partisë Demokratike dhe atyre të LSI-së, argumenton se nuk e gjen këtë kërkesë në përputhje me legjislacionin në fuqi, e më konkretisht me paketën ligjore: “Për informacionin e klasifikuar ‘sekret shtetëror’”. Sipas kreut të shtetit në atë mbledhje janë diskutuar çështje dhe informacione të bashkëpunimit me vendet partnere dhe institucionet ndërkombëtare, ndaj është detyrim sqaron presidenti të sigurohen të njëjtat standarde ruajtje me ato që zbatohen nga shteti apo institucionet ndërkombëtare.

Kreu i shtetit sqaron gjithashtu se kërkesa e deputetëve të opozitës bie ndesh edhe me ligjin për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit të forcave të armatosura, ku përcaktohet se mbledhjet e këshillit zhvillohen të mbyllura.

Sipas Presidentit Meta deklasifikimi dhe publikimi i diskutimeve në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë kombëtare, pavarësisht qëllimeve pozitive të një grupimi politik nuk është në përputhje  me interesat afatgjata të sigurisë kombëtare, ndaj deklasifikimi dhe publikimi i këtyre diskutimeve sqaron kreu i shtetit do të përbënte një precedent me pasoja afatgjata për funksionimin e tij./Tv Klan