Ky është Engrid Hënaj, 30 – vjeçar, efektiv i njësisë elitë “Shqiponja”, i arrestuar nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme të Policisë, me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Hetimi zbuloi se Hënaj, në mënyrë të vazhdueshme dekonspironte aksionet e policisë së Kavajës dhe informonte një person me rekorde të shumta kriminale, për lëvizjet dhe pikat e kontrollit të policisë në qytet.

Njeriu me të cilin efektivi i Shqiponjave mbante kontakt të vazhdueshëm ishte Fation Lila, 30 vjeç banues në Laprakë, i arrestuar disa herë për vjedhje automjetesh dhe banesash në zonën e plazhit dhe në Kavajë.

Po ashtu, ai njihej dhe si autor i grabitjeve me armë, kryesisht pika të këmbimit valutor. Lila ishte arrestuar nga Policia e Kavajës pak javë më parë për disa vjedhje banesash në këtë qytet.

Policia i kishte bllokuar atij edhe disa telefona celularë, në të cilët u zbuluan komunikimet me efektivin e Shqiponjave, Engrid Hënaj.

Tv Klan