Dekorimi nga ana e Presidentit, Bujar Nishani i 67 anëtarëve të ekzekutuar të Ballit Kombëtar ka ngjallur ditët e fundit debate, pas reagimit të disa politikanëve dhe historianëve.

Njëri prej tyre, zëvendës ministri i mbrojtjes Petro Koçi e cilësoi rreshtimin e Presidentit në radhët politike të Ballit Kombëtar një akt anti-nacionalist dhe se Presidentin ballist e kemi dhuratë nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Në kundërpërgjigje Presidenti Nishani i ka cilësuar deklaratat kundër tij, si sulme dhe provokime të adresuara nga nostalgjikë enveristë të diktaturës më të egër dhe të urryer të pasluftës së dytë botërore në europë sulmet ndaj institucionit të drejtuar prej tij.

Kreu i Shtetit sqaron se kujtimi dhe dekorimi i 67 nacionalistëve të ekzekutuar nga dora kriminale e një grupimi të bolshevikëve shqiptarë të orientuar nga të dërguarit jugosllavë, është një detyrim dhe përgjegjësi historike e Shqipërisë së sotme euro-atlantike.

Asnjë prej martirëve të ekzekutuar  në asnjë moment të vetëm të jetës së tyre, – thuhet në reagimin e kreut të Shtetit, – nuk bashkëpunoi me pushtuesin, por ata luftuan kundër nazi-fashizmit.

Presidenti thotë se ata u ekzekutuan në mënyrën më kriminale të mundshme pasi ishin kundër shitjes së trojeve shqiptare tek të huajt dhe se kërkonin orientimin perëndimor të Shqipërisë.

Në reagimin e tij kreu i shtetit sqaron se “Institucioni i Presidentit të Republikës e konsideron të papranueshme ringjalljen e urrejtjes staliniste, veçanërisht kur ajo vjen nga anëtarë të Kabinetit Qeveritar të një vendi anëtar i NATO-s dhe kandidat për Bashkimin Evropian.”

Këto provokime shprehet kreu i shtetit tregojnë se sa seriozisht e kërcënuar mbetet liria jonë dhe se ata që e kanë përdhosur Luftën Antifashiste dhe sakrificat për liri të shqiptarëve duke kryer krime mbi shqiptarët, do të mbeten përjetësisht në altarin e turpit të historisë së kombit shqiptar./ TV KLAN