Oerd-Bylykbashi

Ashtu siç kishte premtuar, Partia Demokratike bëri publike platformën e saj për dekriminalizimin, një ditë pasi Kryeministri Rama e quajti “paçavure” draftin e paraqitur prej saj pak muaj më parë.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Dekriminalizimin, Oerd Bylykbashi, në mënyrë të detajuar paraqiti pikat kryesore që synojnë pastrimin e parlamentit, pushtetit vendor dhe administratës nga personat me rekorde kriminale.

Mes tyre, kërkohet edhe ndërprerja e menjëherëshme e mandateve të deputëteve apo zyrtarëve të tjerë me të shkuar kriminale, një propozim ky që përforcohet pas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, që nënvizoi se një anëtar i parlamentit rezulton të jetë i dënuar per trafik të qenieve njerëzore. 

Paketa e dispozitave që do të propozojë Partia Demokratike, synon të largojë dhe të mbajë larg jetës politike dhe administratës personat me emra të ndryshuar, të verifikojë shenjat e gishtërinjve dhe që zyrtarët e lartë t’i nënshtrohen testit të drogës. 

Ndryshimet ligjore e kushtetuese, në funksion të procesit të dekriminalizimit, Partia Demokratike thotë se do të nisin nga sesioni i ardhshëm parlamentar, bazuar në ligjin italian, Severino, i përshtatur për realitetin shqiptar.

Opozita fajësoi mazhorancën se deri më tani ka zbutur dhe ka zvarritur dispozitat e platformës, duke ua lënë të hapur derën kriminelëve dhe duke shkuar kundër interesit publik dhe kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.

Tv Klan