Një ditë pas vrasjes së ambasadorit Rus në Turqi, Andrey Karlov, publikohen pamje të reja nga momenti i atentatit.

 Në këtë video duket autori i vrasjes, 22-vjeçari Mevlut Mërt Alltëntash, i cili qëndron gjithë kohën pas ambasadorit në pritje të një pamje të qartë për ta eliminuar. Në një moment vrasësi zhvendoset në të majtë të sallës dhe pas pak çastesh shihet teksa nxjerr armën dhe qëllon disa herë mbi ambasadorin Karlov.

Sipas hetuesve turkë, 22-vjecari Alltëntash kishte marrë leje në punë për datën 19 dhe kishte rezervuar në një hotel pranë vendngjarjes. Ai kishte hyrë në galerinë e Arteve duke treguar dokumentin e policisë. Në galeri mbetën edhe 3 të plagosur mes të cilëve një grua lindur në Shqipëri me pasaportë turke. Nëna, motra dhe një shok dhome i Alltëntash u ndaluan dhe u morën në pyetje.

Drejt Ankarasë u nis një delegacion rus me 18 persona, mes tyre agjentë të sigurisë, prokurorë dhe eksperte kriminalistike për të hetuar rrethanat e plota të vrasjes së ambasadorit Karlov dhe marrjen e trupit të tij. Një ceremoni zyrtare u zhvillua në nderim të diplomatit rus në Turqi, trupi i të cilit u nis me avion nga aeroporti i Ankarase këtë pasdite.

Sakaq edhe ambasada amerikane në Ankara është mbyllur, pasi një person hapi zjarr para saj. Nuk pati të lënduar, por për arsye sigurie konsullatat amerikane në të gjithë vendin do të qëndrojnë të mbyllura./ TV KLAN