Qeveria e Kosovës ka shtyrë për një ditë tjetër procedimin në Kuvend të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Vendimi për ditën e procedimit pritet të merret ndërmjet kryetarëve të partive të koalicionit, Isa Mustafa dhe Kadri Veseli.

Marrëveshja është vendosur të dërgohet për ratifikim në Kuvend, në ditët kur ligjvënësit pritet të votojnë mocionin e opozitës për rrëzimin e qeverisë aktuale.

Kjo marrëveshje po kundërshtohet ashpër nga opozita si dhe një numër i deputetëve nga partitë në pushtet, me pretendimet se nëse ratifikohet si e tillë, përmes saj Kosova do të humbte mbi 8 mijë hektarë tokë.

Një tentativë paraprake për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, ishte shënuar edhe më 1 shtator të vitit të kaluar.

Por, atë ditë, koalicioni nuk i kishte 80 votat e nevojshme për ratifikim, ndërkohë që edhe gjendja e sigurisë qe përkeqësuar, çka e kishte detyruar kryeministrin Isa Mustafa ta tërhiqte ratifikimin e marrëveshjes nga Kuvendi.

Prishtina dhe Podgorica nënshkruan Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit në gusht të vitit 2015, në praninë ndërkombëtare. Kjo marrëveshje më pas u shndërrua në një kusht nga BE-ja për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ndërsa qeveria po përgatitet të procedojë për herë të dytë demarkacionin në Kuvend, opozita ka deponuar të premten një mocion me nënshkrimet e 42 deputetëve, 30 nga partitë opozitare dhe 12 nga partitë tjera, përfshi edhe ato në pushtet për rrëzimin e qeverisë aktuale.

Mocioni për rrëzimin e qeverisë po ashtu është caktuar të votohet këtë javë./REL