panariti

Ka nisur në terren vlerësimi për dëmin e shkaktuar nga përmbytjet e javës së kaluar. Por në të ardhmen, për të mbuluar kostot e dëmeve nga përmbytjet apo fatkeqësitë natyrore, çdo fermer do të duhet të sigurojë bizneset e tij.

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, tha se kjo nismë e fundit e qeverisë, së shpejti do të rregullohet me ligj dhe synon t’i japë zgjidhje njëherë e mirë historisë së dëmshpërblimit të fermerëve, si pasojë e përmbytjeve.

Këto deklarata, Ministri i Bujqësisë i bëri gjatë nënshkrimit të marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim, e cila krijon një skemë garancie financiare prej 75 milionë euro, për të nxitur kreditimin e Bujqësisë.

Për të përfituar, fermerët duhet të aplikojnë tek Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural duke paraqitur plane investimi në ato kultura që Ministria e Bujqësisë ka përcaktuar si prioritare, siç janë sektori i Fruta/Perimeve apo Blektoral.

Tv Klan