Christian Panucci duhet të bëjë llogaritë mirë për ndeshjet e radhës që do të luhen në muajin tetor. Trajneri ka shqetësime me dëmtime dhe pezullime te lojtarët kuqezi para sfidave me Spanjën dhe Italinë.

Amir Abrashi la fushën i shoqëruar nga stafi mjekësor i Freiburg në takimin e fundit me Bayer Leverkusen. Kontrollet e mëtejshme do të përcaktojnë shkallën e dëmtimit.

Më shumë probleme shfaqen te mbrojtja. Berat Gjimshiti është i dëmtuar dhe për këtë mungoi në humbjen 6 – 0 të Benevento në fushën e Napoli.

Sipas trajnerit Marco Baroni nuk do të jetë i gatshëm edhe për dy ndeshjet e radhës të Serie A.

Lëndim pësoi edhe qendërmbrojtësi Arlind Ajeti, që e detyroi të linte fushën para kohe në ndeshjen me Inter. Ajeti gjithsesi mori pjesë në stërvitjen e së dielës siç shikohet në pamjet e publikuara nga Crotone.

Christian Panucci duhet të mendohet edhe për lojtarët që kanë mbushur numrin e kartonëve të verdhë. Me Spanjën nuk do të jenë Mërgim Mavraj, Burim Kukeli dhe Odise Roshi. Panucci duhet të rindërtojë formacionin për dy ndeshjet e fundit të kualifikueseve të botërorit.

Tv Klan