Kreu i opozitës Lulzim Basha ka reaguar një ditë pas miratimit në Kuvend të Vettingut.

Nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, Basha shkuar se Kuvendi shpalli ligjërisht krim serioz çdo lloj përpjekjeje apo veprimi që kufizon apo cënon vullnetin e lirë dhe votën e lirë të qytetarëve. Gjithashtu dënime të rënda i presin tani, matrapazët e zinj të blerjes së votës, kriminelët e rrugës.

Statusi i plotë:

Mbrëmë u hodh një hap i rëndësishëm drejt zgjedhjeve të lira dhe Republikës së Re: Kuvendi shpalli ligjërisht krim serioz çdo lloj përpjekjeje apo veprimi që kufizon apo cënon vullnetin e lirë dhe votën e lirë të qytetarëve.

Dënime të rënda i presin tani, matrapazët e zinj të blerjes së votës, kriminelët e rrugës dhe ata në poste shtetërore që kërcënojnë apo detyrojnë me forcë qytetarët të votojnë kundër vullnetit të tyre, komisionerët, numëruesit dhe punonjësit zgjedhorë që manipulojnë votimin dhe numërimin e votave. Policët dhe ushtarakët të cilët në vend që të mbrojnë të drejtat e qytetarëve dhunojnë të drejtën e shenjtë të votës, punonjësit e shtetit që paratë dhe pasuritë që u takojnë qytetarëve i vënë në shërbim të partisë.

Me forcën dhe vendosmërinë që treguam 90 ditët e qëndresës sonë historike, ne do bëhemi barrierë ndaj kriminelëve zgjedhorë që ata të mos guxojnë të dhunojnë lirinë e votës, sepse do të humbasin lirinë e tyre. Puna e ndershme dhe kurajoze e ministrave teknikë, drejtimi i paanshëm i KQZ-së, kufizimi i shpenzimeve zgjedhore dhe masat e tjera që po ndërmarrim për zgjedhje të lira dhe të ndershme, do u japin qytetarëve mundësinë dhe garancitë që të zgjedhin lirisht qeverinë që ata duan t’i drejtojë.

Koha e maskarenjve po mbaron. Tani është koha për Republikën e Re, republikën e lirisë dhe demokracisë së vërtetë.