Shqiptari E. Muja ishte fshehur në dhomën e gjumit, kur policia bastisi një shtëpi, e cila ishte shndërruar në një fabrikë droge.

21-vjeçari ndodhej brenda shtëpisë private me katër dhoma, kur oficerët u futën dhe zbuluan 146 bimë kanabisi me vlerë mbi 80 mijë paund.

I pandehuri pranoi se kishte 3 muaj që jetonte në këtë shtëpi dhe puna e tij ishte që të kujdesej për bimët.

Sipas mediave britanike, një gjykatë në Stoke-on-Trent e dënoi shqiptarin me 9 muaj burg.

Prokurori David Bennett shpjegoi para gjykatës se policia kishte hyrë forcërisht në pronën që ndodhej në rrugën Dundee, rreth orës 13:30, më 25 Janar.

“Një pjesë e saj ishte adaptuar për të rritur kanabis. Në të ishte vendosur sistem ngrohje, dritë dhe ventilim. Pesha e 146 bimëve ishte rreth 8 kilogramë dhe nëse do të hidhej në treg do të kapte vlerën e rreth 80 mijë paund. I pandehuri ishte fshehur në një dhomë gjumi, në momentin që policia bastisi shtëpinë. Atij iu sekuestrua aparati celular, si dhe portofoli me 75 paund”.

Avokati mbrojtës i shqiptarit shpjegoi se ai kishte hyrë Britani si emigrant ekonomik, i fshehur në një kamion. 

“U la në Londër pa pasaportë dhe pas asnjë vend ku mund të shkonte. Si shumë të tjerë u vendos në Stoke-on-Trent.”/tvklan.al