Pas denoncimit të ish-kryeministrit Sali Berisha për gaz lotsjellës tek zyrat e Aluiznit në Durrës, ka reaguar edhe policia e qytetit bregdetar.

“Më datë 22.05.2017, rreth orës 15: 30 jemi njoftuar se në Zyrat e Aluiznit, Durrës personat e pranishëm kanë ndjerë një aromë mbytëse”, tha policia, duke shtuar se në vendngjarje kanë shkuar Efektivet e Policisë, ku disa persona kanë shfaqur shqetësime në frymëmarrje, por pa probleme për shëndetin.

“Nga ana jonë është lajmëruar prokurori i gatshëm, Forcat Zjarrëfikëse dhe ambulanca, me qëllim  parandalimin e çdo nevoje emergjente. Situata në këto momente është normale dhe theksojmë se në ambientet e Spitalit Rajonal Durrës nuk është paraqitur asnjë person”, tha policia.

Forcat blu thanë se është ngritur grupi hetimor dhe pritet të përcaktohet nga ekspertët lloji i lëndës e dyshuar e hedhur në këtë ambient dhe zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes./tvklan.al