Gunther Krichbaum e thekson sërish se hapja e negociatave të antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është e parakohshme. Kreu i komisionit për çështjet europiane në parlamentin gjerman nuk e ka fshehur skepticizmin sa i takon hapit të radhës që afron vendin tonë me Brukselin.

“Përpara verës, na duhet të vendosim për hapjen e negociatave të antarësimit me Shqipërinë. Unë vlerësoj se është ende herët”.

Qëndrimin e tij, përfaqësuesi i kristiandemokratëve të Kancelares Merkel në parlamentin gjerman e shoqëron edhe me një shkrim të prestigjozes gjermane Die Welt, ku thuhet se perspektiva europiane e Shqipërisë ka përçarë koalicionin e madh qeverisës në Gjermani. Socialdemokratët mbështesin hapjen e negociatave të antarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Shkrimi citon përfaqësuesin e tyre në qeveri, ministrin e Shtetit për Çështjet Europiane Michael Roth për të cilin negociatat janë sinjal inkuraujes për popujt e dy vendeve, mesazh të cilin ai e përcolli edhe gjatë vizitës së fundit në Tiranë.

Ndërsa për kristiandemokratët e përfaqësuar nga kreu i Komisionit për Çështjet Europiane në parlamentin gjerman Gynter Krishbaum, Shqipëria ka ende për të treguar sidomos në

“luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që arrin deri në rangje të larta të qeverisë”

.

Gjermania pritet të marrë një vendim për Shqipërinë para samitit të Qershorit. Për këtë çështje Bundestagu ka ngritur edhe një komision me deputetë të të dy krahëve, njëri prej të cilëve, kristiandemokrati Florian Hahn vizitoi të enjten Tiranën ku u takua me krerët më të lartë politikë të vendit.

Tv Klan