Deputeti Rakipi aksidenton 54-vjeçarin në autostradë, ekspertiza nxjerr fajtor viktimën

Lirohet pas 12 orësh


Deputeti i PDIU-së Aqif Rakipi u përfshi në një aksident me pasojë vdekjen e një 54 – vjeçari mëngjesin e së shtunës. Automjeti Benz me të cilin ai udhëtonte përplasi për vdekje Seit Sorrën, në autostradën Tiranë –Durrës, në afërsi të mbikalimit të Kamzës.

Policia sqaroi se gjeti pa shenja jete në rrugë 54 – vjeçarin nga fshati Kus i Kasharit dhe se në orën 4 e 51 minuta të mëngjesit, deputeti Aqif Rakipi u paraqit në Komisariatin numër 2 në kryeqytet, ku deklaroi se kishte përplasur një person në autostradë dhe po se kërkonte të dorëzohej.

Policia tha se pavarësisht se deputeti u largua nga vendngjarja, kjo nuk e pengoi të kryejë të gjitha veprimet hetimore dhe proceduriale, ekzaminimet e ndryshme kriminalistike, testin e alkoolit, si dhe sqarimin e rethanave të aksidentit.

Në bazë të kqyrjes së vendit të ngjarjes, ekspertizave në rrugë nga tre ekspertë, u arrit në përfundimin se përgjegjës për aksidentin është viktima Seit Sorra.

Sipas tyre, 54 – vjeçari i ka ndërprerë rrugën papritur deputetit, duke mos i lënë mundësi për të reaguar. Për më tepër, viktima nuk duhej të kalonte nga njëra anë e autostradës në tjetrën përmes trafikndarëses, pasi në këtë aks automjetet udhëtojnë me shpejtësi të lartë dhe vendkalimet e këmbësorëve janë të përcaktuara.

Pas daljes së rezultateve të ekspertizës, Aqif Rakipi ka lënë Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku ishte shoqëruar nga blutë dhe do të hetohet në gjendje të lirë.

Tv Klan

Kategori
KronikeLajmet KryesoreTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*