Chloe Jansen, e dashura shtatzënë e shqiptarit që akuzohet për vrasjen e Andre Aderemit, ka deklaruar se i dashuri i saj “nuk është njeri i dhunshëm”, megjithëse gjykata ka mundur të sigurojë një video ku ai i ka drejtuar asaj në kokë një shotgan.

E përshkruar si shkaku i konfliktit që çoi në vdekjen e Aderemit, ajo dëshmoi në Gjykatën e Old Baileyt ditën e enjte.

Jansen gjatë dëshmisë së saj qëndronte pas një ekrani ku të pandehurit Femi Cela, Ali Zahawy, Rodney Mukasa dhe Jamell Lonergan nuk mund ta shihnin.

Gjatë seancës Jansen dukej e shqetësuar ndërkohë që disa pyetjeve rreth marrëdhënies së saj me Celën, refuzoi t’i përgjigjej.

Ajo deklaroi se kishte një miqësi të gjatë me viktimën dhe ai e pësoi sepse nuk i pëlqente mënyra se si i dashuri i saj e trajtonte atë.

Vajza deklaroi gjithashtu se ai kishte vënë dorë disa herë mbi të dhe lidhja e tyre kishte patur ulje-ngritje si të gjithë të tjerat. Ajo shtoi se është shtatzënë me fëmijën e tij dhe e kishte zbuluar këtë fakt pasi Cela ishte arrestuar.

18-vjeçarja rrëfeu se ajo e takonte atë çdo ditë në burg megjithëse e kishte të ndaluar nga detektivët që po hetonin çështjen e Aderemit.

Kur ajo u mor në pyetje nga prokurori Alan Kent në fillim të seancës deklaroi se nuk dëshironte të fliste për bandën e Fabios (ashtu siç e quante ajo shqiptarin) pasi kishte frikë për jetën e fëmijës së saj.

Ditën kur ndodhi vrasja ajo kishte qenë në një prej banesave në bllokun e pallateve në Selsdon, Londër.

Ajo kishte parë nga dritarja makinën e bandës dhe kishte zbritur për të takuar të dashurin e saj.

“Në atë moment Zahawy doli nga makina dhe më futi duart në fyt. Fabio doli me të shpejtë dhe i tha atij të më linte të qetë. Zahawy u fut sërish në makinë dhe Fabio më tha se nuk donte të më shihte në rrugë”, deklaroi Jensen.

Pas kësaj ajo kishte shkuar në apartament dhe disa çaste më vonë kishte dëgjuar sirenat e ambulancës dhe të policisë.

“Shkova të shihja ç’po ndodhte dhe pashë Andren të gjakosur. U tremba shumë dhe u largova me të shpejtë”, shtoi ajo.

Cela dhe Jensen kishin 4 vite bashkë dhe ajo i njihte mirë shokët e tij.

Ajo rrëfeu në Gjykatë dhe një incident të ndodhur midis bandës së Celës dhe Aderemit, pak muaj para se ai të vdiste.

“Zahawy është bërë pjesë e grupit në pranverë të vitit 2016. Atë e plagosën me thikë në shpinë sapo doli nga shtëpia por askush nuk e dinte se kush ishte përgjegjësi. Fabio u mërzit shumë dhe besonte se ishte një vepër e bandës së Aderemit të vetëquajtur “Money Habits”, deklaroi Chloe.

Ajo e mbylli dëshminë e saj duke thënë se “sjellja e Celës nuk kishte ndryshuar edhe pasi ai kishte mësuar se do bëhej baba dhe se ai nuk është person i keq, por thjesht është përfshirë me njerëz të gabuar”./tvklan.al