terroristet

Procesi gjyqsorë ndaj 9 personave të akuzuar për terrorizëm në Shqipëri i është kthyer normalitetit. Gjykata e krimeve të rënda ka lejur që mbështetësit dhe familjarët e tyre të ndjekin seancën, pasi e kishte refuzuar këtë disa herë.

Gjykata ka dëgjuar 3 dëshmitarë të Prokurorisë, të cilët kanë patur njohje me disa nga personat e arrestuar. Ka dhënë dëshminë e tij Zamir Mani nga qyteti i Shkodrës. Në mars të vitit 2014 ai ka kallzuar në Prokurori Genci Ballën.

Ai e akuzon ish- Imamin e xhamisë së Unazës së Re se i ka dërguar në Siri ish – gruan e tij Almira Kastrati dhe djalin 5- vjeçar.

Dëshmia e tij është një prej provave më të rëndësishme në këtë proces, veç përgjimeve dhe fakteve të tjera që Prokurorët e Krimeve të Rënda kanë mundur të sigurojnë mbi veprimtarinë rekrutuese të Ballës dhe 8 personave të tjerë që janë përpara drejtësisë.

Mani ka rrëfyer në seancë se ish – gruaja e tij filloi të punojë në organizatë fetare në qytetin e Shkodrës. Sipas tij, indoktrinimi i saj ndodhin pikërisht në këtë periudhë.

Më pas ajo u nda prej tij dhe bashkëjetoi me Genci Ballën. Prej vitit 2013 ai ka humbur kontaktet me ish – gruan dhe djalin e tij.

Erzen Gashi dhe Artur Korra dy dëshmitarët e tjerë kanë ndryshuar deklarimet e bëra në fazën e hetimeve paraprake.

Gashi ka thënë se i është bërë presion nga policia, duke mohuar se ishte marrë nga të akuzuarit për t’u dërguar ne Siri.

Ndërsa Korra tha se nuk njeh asnjë nga personat që ndodheshin pas hekurave. Seanca është ndërprerë pas largimit nga salla të të pandehurit Gerti Pashja, i cili ka kërkuar që të mos merren parasysh deklarimet e të gjithë dëshmitarëve në fazën e hetimeve paraprake, kërkesë kjo që nuk u pranua nga Gjykata.

Tv Klan