Një ndër krenaritë e deklaruara të kryeministrit Rama ka qenë partneriteti publik-privat për hemodializën. Por emisioni “STOP” sjell sot ankesat e pacientëve, të cilët thonë se në QSUT nuk ka reagentë për analizat e tyre, ndaj detyrohen t’i drejtohen privatit me kosto të lartë. Kryetari i shoqatës për këtë kategori, Agim Gjyla tregon se ata që nuk kanë para për analiza në privat janë të destinuar të vdesin. Të njëjtën problematikë pohon edhe Alma Sheme, nënkryetare e shoqatës për dializën. Kamera e emisionit “STOP” verifikon kushtet në repartin e hemodializës, të cilat lënë për të dëshiruar.

“Nuk do të bëhet më hemodializa në spitale private, do të bëhet në spitalet publike dhe kush do ta bëjë? Do ta bëjë privati që është në partneritet me shtetin. Shteti do vazhdojë të paguajë siç ka paguar, vetëm 80 euro për seancën. Privati do të bëjë investimin që të ketë hemodializë edhe në spitalin e Korçës, Sarandës, Kukësit dhe në çdo spital tjetër në republikë.

Edi Rama ka inspektuar qendrën e re të trajtimit të sëmurëve me hemodializë në Shkodër, ku ka përmendur sërish partneritetin publik-privat dhe vijimësinë e saj në spitalet e tjera. Qendrat e hemodializës janë mundësuar edhe në spitalet e Vlorës, Lezhës, Elbasanit dhe Korçës. Investimi i partneritetit publik-privat ka arritur vlerën 4 milion dollar, për infrastrukturën spitalore dhe pajisjet mjekësore.

Ndërsa pacientët ankohen për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pasi nuk zhvillohen disa analiza, gjithashtu mungojnë reagentët dhe ilaçet, ndaj detyrohen t’i drejtohen privatit me kosto të lartë. 

“Mungojnë disa nga analizat, që ne nuk i bëjmë këtu, por i bëjmë në spitale private. Mungojnë dhe shumë e shumë ilaçe, që ne jemi të detyruar t’i marrim këtu, por nuk ekziston kjo mundësi. Pensioni im është 140 mijë lekë, urdhëro, çfarë mund të bëj unë? Analizat, të marr ilaçet, të marr gjilpërat?”

Ata shprehen se i drejtohen spitaleve private, sepse në ato publike nuk ofrohen shërbimet që u nevojiten dhe se gjithashtu se u është hequr edhe rimbursimi i transportit. Kryetari i shoqatës për këtë kategori, Agim Gjyla tregon se ata që nuk kanë para për analiza në privat janë të destinuar të vdesin.

“Ka të paktën mbi 20 pacientë që kanë vdekur brenda, pa u mbyllur ky vit. Vetëm nga mosmjekimi këtu po ikin me lopata.”

Alma Sheme, nënkryetare e shoqatës për dializën i bën apel Ministrisë së Shëndetësisë, Kryeministrisë dhe QSUT-së t’i ndihmojnë.   

“Na mungojnë reagenët e PTH-së ose paratiroideve, mungon hekuri. Tjetër problem me pacientët e dializës është edhe kjo. Marrin një rimbursim transporti. Janë 37 veta, të cilët kanë që në Nëntor që kanë dosjen në dorë dhe nuk po e mbyllin, për shkak të Ervin Dajkos. Asnjë autobus nuk ma sjell pacientin nga shtëpia në dializë dhe nga dializa në shtëpi, siç është urdhri.”

Kamera e fshehtë e emisionit “STOP” ka shkuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për të parë sesi trajtohen pacientët.

Laboratori i Analizave QSUT

Qytetarja – Desha të pyesja pak, kam babin të shtruar këtu tek veshkat me dializë, për analizën e paratenomonit dhe feritinemia.

Laborantja

Feritinemia? Jo! Paratenomoni ka shumë kohë, ka vite që nuk është bërë.

Qytetarja – Po, e di ka gati nja 5 vjet, se ai ka 18 vite (i sëmurë).

Laborantja

Kurse për feritinën …

Qytetarja – Se kjo feritinemia u bë nja tre muaj.

Laborantja – Po, është bërë edhe duhet të pyesësh herë pas here, se pritet të vijë reagent.

Qytetarja – Po për çfarë arsye nuk bëhet, se ngelëm duke lënë çdo tre muaj lekë në privat. Ku të pyes?

Laborantja

Infermierët atje tek dializa.

Pavioni i Veshkave QSUT

Qytetarja – Kam babin këtu te dializa dhe desha të pyesja çikë për këtë analizën e fretinemisë dhe paratenomonit? Di gjë kur mund të bëhen?

Mjekja

Normalisht duhet t’i marrë dializa këto analiza dhe t’ia çojë në laborator. Feritinemia bëhet në QSUT, paratenomoni nuk e di.

Qytetarja – Ata të laboratorit më thanë shko pyet andej (tek dializa) nuk dimë gjë fare ne.

Mjekja

Feritinemia bëhet në laboratirin e QSUT, mesa di unë. Për paratenomin nuk di ç’të them bëhet apo jo.

Qytetarja – S’bëhej as kjo, as kjo.

Mjekja

Nqs nuk bëhet, babit tënd, infermieret te dializa, i marrin gjakun dhe ti ia çon në privat.

Pra, vetë mjekët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” të drejtojnë në spitalet private… /tvklan.al