hamasDuhej të ishte armëpushimi më i gjatë në kohë dhe më seriozi i negocuar deri tani mes Izraelit dhe Hamasit, por nuk rezultoi kështu.

Vetëm 2 orë pasi ai kishte hyrë në fuqi, forcat hebree qëlluan me tanke dhe artileri në jug të Rripit të Gazës në Rafah.

Shkak i prishjes së armëpushimit ka shërbyer me sa duket një inkursion i militantëve nëpërmjet një tuneli në anën tjetër të kufirit në Kerem Shalom, ku mësohet se një ushtar izraelit është rrëmbyer dhe 2 të tjerë janë vrarë në aksion.

Po ashtu, militantët qëlluan edhe 8 raketa.

Burime mjekësore palestineze konfirmuan se të paktën 40 persona humbën jetën e mbi 200 të tjerë u plagosën nga ky episod i ri i luftës.

Palët akuzuan, si gjithnjë, njëra-tjetrën për thyerje të armëpushimit, ndërsa Tel Avivi deklaroi se ai ka marrë fund.

Autoritetet izraelite u kanë bërë thirrje të përsëritura palestinezëve në Gaza të qëndrojnë në banesa, pasi operacioni ndaj militantëve të Hamasit do të vijojë sipas parashikimit.

Rrjeti i tuneleve të organizatës është fokusi kryesor i kësaj ofensive.

Sekretari i Përgjithsëhm i OKB, Ban Ki Mun dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, publikuan një deklaratë të përbashkët që paralajmëronte arritjen e armëpushimit humanitar 72-orësh në Gaza.

Sipas marrëveshjes ai hynte në fuqi në 8 të mëngjesit të së premtes me orën lokale, në mënyrë që t’u jepej më shumë kohë delegacioneve të Hamasit dhe Izraelit për arritjen e një paqeje afatgjatë në bisedimet e tyre në Kajro.

Por, pas prishjes së armëpushimit të kësaj të premteje, autoritetet egjiptiane kanë anulluar vijimin e negociatave.

Kështu në ditën e 25 të konfliktit në Gaza, numri i viktimave në rradhët e palestinezëve është më i madh se 1500 dhe mbi 8 mijë të tjerë janë të plagosurit.

Ndërsa, Izraeli numëron 63 ushtrakë dhe 3 civilë të vrarë gjatë kësaj periudhe.

Tv Klan