Një sasi eksplozivi e vendosur në një makinë në parkingun e një qendre tregtare ka alarmuar Policinë e Tiranës .

Brenda pak minutash është bërë e mundur evaukimi i plotë i klientëve dhe stafit të dyqaneve.

Me mbërritjen e forcave xheniere të policisë në parkingun e qendrës tregtare është konstatur se në pjesën e poshtme të makinës tip Benz Mercedes ML me targë AA 667 GT, është gjetur e mbështjellë me natriban një sasi prej 500 gr Tirtol.

Mjeti është në pronësi të shtetasit Nuredin Suli,  biznesmen nga Fieri, person i njohur për drejtësinë për shkak të konfliktit të vazhdueshëm  me familjen Sulo.

Ekspertët anti-eksploziv kanë bërë të mundur pas 60 minutash çaktivizimin e lëndës shpërthyese.

Në një komunikatë për mediat rreth ngjarjes policia e kryeqytetit sqaron se  Nuredin Suli është një person i skeduar me precedent të mëparshëm kriminal dhe sipas informacioneve paraprake, ka qenë synim i një atentati për arsye hasmërie një vit më parë.

Grupi hetimor i ka përqëndruar hetimet në pistën e hakmmarjes. Vetë biznesmeni në një reagim për Televizionin Klan ka mohuar të ketë konflikte të tjera përveç asaj me familjen Sulo, që sipas tij i kanë vrarë vëllain.

Sipas tij, autorët edhe pse janë në burg nuk janë të qetë dhe duan ta vazhdojnë konfliktin. Ai akuzon policinë se nuk ka zbardhur qëllimisht një atentat që i ndodhi vëllait tjetër të Sulit, ku persona qëlluan me armë para lokalit të tyre.

Në lidhje me skedimin e tij si person me precedent Suli thotë se nuk është proceduar asnjëherë dhe nuk është marrë në pyetje nga policia për ndonjë vepër penale.

Tv Klan