Sherri për ndarjen e parave, pas grabitjes së 9 shkurtit, ka bërë që i dyshuari Admir Çerpja të bashkëpunojë me prokurorët pas arrestimit.  

ABC News ka siguruar një kopje të vendimit të gjykatës, ku i është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” Çerpjas. Në këtë vendim, janë evidentuar pjesë nga rrëfimi i tij, për dy grabitjet e mjeteve të transportit të parave të bankës në rrugën Qafë – Kashar-Rinas.

Para hetuesve, mësohet se Çerpja ka treguar që pas grabitjes së 9 shkurtit në afërsi të Rinasit, ka qenë Dash Kupa dhe Admir Murataj ata që i kanë dërguar paratë e shpërblimit për informacionin e dhënë në banesën e Neim Avdulajt.

Ky i fundit, thotë Çerpja, në banesën e tij që ndodhet në Yzberisht, ka shpërndarë paratë e shpërblimit, për të cilat ai kishte kontestime. Ata, thotë Çerpja, më dhanë rreth 70 mijë euro në total, në valutë paund, euro dhe dollarë që ishin prerje të vogla.

“Unë doja më shumë”, ka thënë Çerpja, “por Dash Kupa nuk pranoi të më jepte, pasi mori edhe ai këstin e tij nga paratë e shpërblimit për dhënien e informacionit”. Para se të largohej nga banesa e Neim Avdulajt, ky i fundit e kishte porositur Admir Çerpjën që parat t’i fshihte në një tenxhere me presion dhe t’i groposte. Këshillë që sipas Çerpjes, e kishte zbatuar deri ditën kur i ka treguar policisë se i kishte fshehur në oborrin e shtëpisë në Bathore. 

Para prokurorëve, mësohet se Çerpja ka treguar edhe për detyrën që kishte ditën e grabitjes së 9 shkurtit. Ai ka thënë, se ishte ngarkuar nga Neim Avdulaj të vëzhgonte kalimin e mjeteve të transportit të parave, nga vendi i njohur si rreth rrotullimi i Doganës në Tiranë dhe më pas të njoftonte për kalimin e tyre.

Me të kaluar mjetet, Çerpja ka thënë se e ka njoftuar Neim Avdulajn, i cili më pas e ka lajmësuar Dash Kupën, që të bëheshin gati se makinat me para po afroheshin.

Sipas vendimit të gjykatës, prokurorët thonë se takimet mes Neim Avdulajt dhe Dash Kupës e personit të shpallur në kërkim Admir Murataj, bëheshin në zonën e ish-fushës së aviacionit dhe Yzberisht, në banesën e ish-efektivit të forcave komando.

Ndërsa sa i përket njohjes mes tyre, Admir Çerpja ka pranuar se ishte ai personi që i kishte prezantuar Neim Avdulajt shtetasin Dash Kupa. Pasi me këtë të fundit, ishin njohur në burg në Greqi, ku të dy vuanin dënimet për vjedhje vite më parë. /tvklan.al