Shoferi polak i kamionit që shkaktoi masakrën e të hënës në tregun e Krishtlindjes në Berlin, ka qenë gjallë deri në çastin kur atentatori anonim ka braktisur kamionin pranë kopshtit zoologjik.

Sipas mediave gjermane, 37 – vjeçari Lukas Urban, i cili pas rrëmbimit të kamionit nga besniku i ISIS, qëndronte në vendin e pasagjerit, ka tentuar të devijojë kamionin duke kapur timonin në mënyrë që të shmangte përplasjen fatale me kabinat e drurit, ndodhi që i mori jetën 12 personave dhe la të plagosur 48 të tjerë.

Të dhënat kanë dalë në dritë pas autopsisë së trupit të 37 – vjeçarit dhe sipas tyre thyhet se agresori e ka goditur me thikë disa herë që nga momenti i përplasjes me kabinat e drurit deri tek kopshti zoologjik, një distancë prej rreth 40 metra.

Sakaq, mediat britanike bënë të ditur se autori i masakrës së Berlinit mund të jetë i lidhur me një celulë të ISIS me bazë në Britaninë e Madhe.

Një javë më parë, shërbimet e Antiterrorit në Angli arrestuan gjashtë të dyshuar, si të lidhur me Shtetin Islamik. Sipas mediave britanike, celula e ISIS në Angli është qendra ku janë planifikuar sulmet e Shtetit Islamik për kontinetin europian, në prag të festave të fundvitit. Sakaq Anglia ka ngritur nivelet e alarmit kombëtar nën kërcënimet se radhën e ka Mbretëria.

Një ditë më parë, Shteti Islamik mori përsipër sulmin në Berlin, nëpërmjet një komunikate zyrtare. Aktualisht, për autorin e masakrës nuk dihet asgjë dhe frika mbetet e lartë, se ai mund të kryejë akte të tjera terroriste.

Tv Klan