Policia gjermane ka arrestuar të Dielën një 21-vjeçar të akuzuar se “po planifikonte një krim serioz” me objektiv policinë dhe ushtrinë gjermane.

“DW” citon autoritetet gjermane të thonë se i dyshuari, kombësia e të cilit nuk jepet, kishte lidhje me një adoleshent austriak me origjinë shqiptare, i cili u arrestua në Vjenë të Premten. Edhe shqiptari në Vjenë akuzohet se planifikonte sulme terroriste dhe se kishte lidhje me grupe radikale islamike.

I riu shqiptar i arrestuar në Austri kishte qëndruar si mysafir në shtëpinë e 21-vjeçarit në Neuss të Gjermanisë dhe kishte diskutuar sulmet kundër forcave gjermane të sigurisë, tha një zëdhënës i prokurorit në Dusseldorf.

Ndërsa një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Austrisë tha se lidhja e çështjes së të riut të arrestuar në Vjenë me Gjermaninë ishte e qartë.

Të Shtunën, ministria austriake tha se arrestimi në Vjenë i shqiptarit kishte penguar një sulm të pashmangshëm, me gjasa ndaj sistemit të metrove në kryeqytet.

“Kishte indikacione se një sulm i tillë ishte planifikuar dhe do të ndodhte shumë shpejt,” Konrad Kogler, Drejtori i Përgjithshëm i Sigurisë Publike tha për radion “ORF” të Austrisë.

Revista gjermane “Focus” tha se operacioni për arrestimin e të riut në Neuss të Gjermanisë ishte rezultat i bashkëpunimit të mirë të agjencive Europiane të inteligjencës. Kështu u parandalua një sulm i mundshëm me bomba mbi policinë dhe ushtrinë, tha revista.

Policia konfiskoi kompjuterë dhe celularë në shtëpi dhe arrestoi përkohësisht bashkëshorten e të dyshuarit.

“Focus” tha se adoleshenti austriak me origjinë shqiptare u kishte thënë hetuesve se ai ishte betuar për aleancë me grupin terrorist të Shtetit Islamik, ISIS.

Gjermania është në alarm pas një sulmi me kamion ndaj një tregu krishtlindjesh në Berlin gjatë Dhjetorit. 12 persona u vranë në sulmin e marrë përsipër nga ISIS./tvklan.al