Një ditë pas arrestimit të 4 të dyshuarve si autorë të 2 grabitjeve në Rinas, policia e Tiranës sot ka dhënë të tjera detaje. Në një njoftim për mediat Policia e Tiranës thotë se ky operacion është ende vë vazhdim.

 

Në Vlorë u gjetën, në një ambient të jashtëm, të groposura dy tenxhere me presion të mbushura me kartëmonedha Paund, Dollarë Amerikanë, Australiane, Kanadeze si dhe Euro.

Ndërkohë tek servisi i familjes Murataj në Vorë u gjet një kasafortë me një sasi Eurosh e Dollarë. Ndërsa një prej anëtarëve të grupit, i shpallur në kërkim, është Admir Murataj, i cili dyshohet se është pjesë e grupit të Ilir Kupës, i arratisur nga burgu i Trikalasë në Greqi, në vitin 2013.

Kontrollet kanë vijuar në disa banesa, hotele e lokale në Prezë, Vorë, Farkë, në Vlorë, Lushnjë. Operacioni vijon qoftë për gjetjen e provave të tjera materiale ashtu edhe për kapjen e personave të përfshirë në këto ngjarje.

 

Pas veprimeve intensive hetimore, informacioneve të marra në rrugë operative, provave shkencore të mbledhura nga ekspertët e policisë, u arrit të provohej dhe dokumentohej implikimi i të paktën 6 shtetasve në këto 2 ngjarje: Fation Xhyliu , 33 vjeç, lindur në Lushnjë banues në Tiranë, ish punonjës në Shpsf “Rogat”, Ditjon Memlika, 31 vjeç, lindur në Tepelene dhe banues ne Tiranë, ish efektiv në forcat ushtarake, Neim Avdulaj, 28 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, ish ushtar profesionist në forcat ushtarake të Zallherrit dhe Ernest Kupa, me banim në Krujë, me biznes privat. U shpallën në kërkim shtetasit me iniciale M.A., dhe Ç.A. dhe po punohet për kapjen e tyre

”, njoftoi një ditë më parë drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj.

Arrestimi i të dyshuarve për dy grabitjet u bë pas një operacioni të gjerë ku u angazhuan dhe forcat speciale të policisë, si dhe mjete të shumta, përfshi helikopterët, në disa zona, Vorë, Prezë, Krujë dhe Fushë-Krujë ndërsa u ushtruan kontrolle në disa banesa. Rezultati I operacionit të policisë u përshëndet nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ishte personalisht në Drejtorinë e e policisë së kryeqytetit si dhe nga kryeministri Edi Rama./tvklan.al