Janë momentet e mbërritjes së Admir Çerpjes, në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, të shumëkërkuarit për dy grabitjet e 7 milion eurove në rrugën e Rinasit me 3 dhjetor 2015 dhe 9 shkurt të këtij viti.

35 –vjeçari që shihni në këtë foto, i njohur edhe me emrin “Gjuliano Çerpja”, u kap në fshatin Zall Dardhë rreth orës 21 të mbrëmjes së të premtes.

Ai u arrestua nga RENEA, pas më tepër se katër ditë kërkimesh në Dibër. Policia e akuzon si një nga organizatorët kryesore te grabitjeve.

35 vjeçari u prangos në momentin kur po hynte ne fshat për të blerë ushqim.

Këtë veprim Çerpja e bënte vazhdimisht gjate këtyre ditëve që ishte i shpallur në kërkim.

Pasi blinte ushqime largohej në drejtim të një strehimi në një zonë të pabanuar.

35-vjeçari nga Dibra, që banonte prej disa kohësh në Bathore, në Tiranë, po kërkohej në zonat e Dibrës që prej ditës së hënë.

Gjatë kontrollit të kryer këtë të shtunë, nga policia në banesën e Admir Çerpjes, në Bathore, është gjetur një sasi e konsiderueshme parash. Ato ishin fshehur po një tenxhere ashtu si në rastet e mëparshme. Më pas tenxherja ishte groposur në oborrin e banesës. Ende nuk bëhet e ditur shuma e parave të gjetura nga policia në këtë rast.

Operacioni i policisë po vazhdon për arrestimin e Admir Muratajt, i fundit i mbetur i lire nga 6 anëtarët e grupit të grabitësve. 4 të tjerë janë njohur me masat e sigurise të arrestit me burg, ndërsa policia ka mundur te rikuperoje edhe një pjesë të parave të grabitura.

Tv Klan