Pas operacionit për kapjen gjallë të terroristit, që vrau 39 persona në një klub nate në Stamboll, natën e vitit të ri, qëndron një histori që të lë pa frymë.

Analisti turk Abdulkadir Slevi ka shkruar në “Hurriyet” detajet e operacionit që çoi në kapjen e një prej njerëzve më të kërkuar në botë për momentin.

Selvi thotë se pas sulmit të 1 Janarit, inteligjenca turke nuk po binte në gjurmët e terroristit deri në momentin që arriti tek një numër kontakti që doli nga një kartë SIM, që terroristi kishte lënë në xhepin e palltos në klubin e natës Reina, ku ishte ndërruar para se të largohej.

“Nëpërmjet atij numri arrihet tek bashkëshortja e terroristit”,

thotë Selvi.

Ajo u tha autoriteteve se pas sulmit në Reina, Abdulkadir Masharipov kishte ardhur në shtëpi së bashku me një grua, kishte marrë fëmijën 4-vjeçar dhe ishte larguar për të mos kontaktuar më.

“I kishte mbaruar bateria e telefonit. Foli me dikë nga telefoni im”,

u tha gruaja autoriteteve, të cilët arritën të zbulojnë numrat që u përkisnin disa militantëve të ISIS-it në Hatay, qytet turk afër kufirit me Sirinë.

Policia turke kreu operacione ndaj militantëve të ISIS në disa qytete, duke ia ngushtuar rrethin atij, çka e futi në panik terroristin. Kjo bëri që ai të nxitojë për t’u larguar nga Turqia.

Burimet thonë se ditën që ai u kap në një shtëpi në Esenyurt në Stamboll, nga ky vend janë kryer 8 thirrje telefonike. Shtëpia ishte marrë me qira në emër të një gruaje egjiptiane të quajtur Tene Trare. Gjashtë prej tetë thirrjeve i kanë kryer gra, të cilat po përpiqeshin të ndihmonin në arratisjen e terroristit nëpërmjet Canakalasë për në Izmir.

Ndërkohë për arratisjen e terroristit ishin dërguar 197 000 dollarë që erdhën në dy pjesë. Pjesa më e madhe e parave vinte nga një shtet në Lindjen e Mesme, ndërsa një pjesë e vogël vinte nga një vend Europian, të cilit autori i shkrimit në “Hurriyet”, nuk ia përmend emrin.

Paratë nuk mbërritën nëpërmjet bankave, por nëpërmjet dy grave me origjinë senegaleze dhe somaleze.

Pas lokalizimit të vendndodhjes së terroristit, inteligjenca turke vendosi një pikë dëgjimi afër shtëpisë me ekspertë që flisnin katër gjuhë të huaja, aq sa edhe terroristi: arabisht, rusisht, gjuhën mandarin dhe ozbeke.

Dy bisedat e ditës së fundit terroristi i bëri në arabisht. Si pasojë e informacionit të marrë nga përgjimi i bisedave të terroristit, policia turke shkatërroi dy celula të tjera të ISIS-it në vend.

Me të kuptuar se ishte ngushtuar rrethi së tepërmi, terroristi i tha një militanti të ISIS-it nga Izmiri

“Në rregull, po vij!”

dhe nisi përgatitjen për arratisje, por në këtë moment policia turke bastisi shtëpinë e tij dhe e kapi të gjallë.

gruaja

Kush ishte në shtëpi së bashku me terroristin?

Në momentin e operacionit, gruaja egjiptiane dhe djali i terroristit dolën nga shtëpia për të shkuar në market. Kjo e lehtësoi punën e policisë, përballë çdo të papriture apo përplasjeje të mundshme me armë.

Në shtëpi u kap edhe një djalë irakian, i cili besohet të jetë militant i ISIS-it që po përgatitej t’ia mbathte sëbashku me terroristin. Trajektorja që mendohej se do të ndiqnin ishte kjo: Stamboll – Canakale, nga aty në Izmir, nga Izmiri në Hatay dhe nga aty do të kalonin kufirin për në Siri.

Cili ishte roli i gruas egjiptiane?

“Hurriyet” thotë se gruaja egjiptiane besohet se ishte e dashura e terroristit. Kjo dyshohet se ka qenë edhe arsyeja që ka shtyrë bashkëshorten të ndajë disa informacione me policinë dhe inteligjencën turke.

Terroristi pas sulmit në Reina ka shkuar në shtëpi sëbashku me gruan egjiptiane për të marrë djalin dhe nuk ka komunikuar më me bashkëshorten./tvklan.al