Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kanë zhvilluar sot një takim maratonë në Pallatin e Kongreseve në kryeqytet për të përcaktuar detajet e marrëveshjes së arritur për zgjidhjen e krizës politike.

Mbrëmjen e djeshme dy liderët ranë dakord me propozimet e paketës McAllister Plus, të paraqitur nga amerikanët, duke i dhënë fund krizës politike në vend dhe duke i hapur rrugë pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje.

Takimi ka nisur në orën 10:00 të paradites së sotme dhe ka përfunduar rreth orës 15:20.  

Kryeministri Rama dhe kryetari i PD-së Basha mësohet se shoqëroheshin në takim nga ekspertët që do të ndihmojnë në përcaktimin e detajeve të marrëveshjes së arritur mesnatën e djeshme.

Rama nuk foli për median pas takimit, ndërsa Basha tha se marrëveshja do të bëhet publike shumë shpejt.

Ndërkohë, të dyja partitë kanë thirrur mbledhje të kryesive në orën 17:00./tvklan.al