Në prag të dëshmisë së tij përpara Komisionit hetimor në Senat, dhëndri i presidentit amerikan Trump, Jared Kushner, mohoi të ketë lidhje me Rusinë apo jetë në kontakt të fshehtë me qeveritarë rusë.

Përmes një deklarate zyrtare përpara seancës me dyer të mbyllura në Senat, ai mohoi gjithashtu të kishte lidhje me fonde ruse në aktivitete private.

Ashtu si djali i presidentit Trump, Kushner pranoi takimin me avokaten ruse, qershorin e vitit të kaluar, duke përsëritur fjalët e kunatit të tij se “ai takim ishte kohë e shpërdoruar”.

Jared Kushner ka funksionin e këshilltarit të afërt të Donald Trump. Ai është nga të dyshuarit kryesorë për përfshirje në skandalin “Russiagate”, së bashku me djalin e Trump dhe ish-këshilltarin e fushatës Paul Manafort.

Donald Trump i ka mohuar vazhdimisht lidhjet me Moskën, duke i cilësuar akuzat si një “gjueti shtrigash” dhe lajme të rreme nga mediat amerikane. Këto të fundit ngrenë dyshime se presidenti po mundohet të pengojë hetimet.

Tv Klan