Vjollca ka ftuar djalin e saj, Eltonin, në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare”, moderuar nga Ardit Gjebrea, për t’i thënë se jeta vazhdon edhe pse kanë kaluar shumë vështirësi.

“Unë jetoj në Greqi dhe kam tre fëmijë, Remzien, Eltonin dhe Madjonin. Prej ’93 jetojmë në Greqi, ekonomia na shkoi mirë. Kur kam ikur dy fëmijë i kam marrë me vete, kurse Eltonin që kam thirrur sot ma mbajti mamaja ime sepse ma ka marrë që 6-muajsh dhe ma bëri 8 – vjeç dhe nuk ma jepte. Por në ’97, që filloi rrëmuja, mamaja më tha të vish ta marrësh dhe u detyrova shkova e mora dhe djalin. Punonim të pestë, ekonomia ishte shumë e mirë.”

Vjollca shprehet se bashkëshorti i saj punonte në dy punë, në ndërtim dhe si roje nate, për të rritur fëmijët në Greqi. Më 27 Dhjetor 2015 bashkëshorti i Vjollcës pësoi hemorragji cerebrale dhe bëri tre operacione në kokë për të shpëtuar, por pas 2 muajsh qëndrimi në spital nuk ia doli dhe ndërroi jetë.

“Kjo ngjarje na ka trishtuar jashtë mase dhe na vuri shumë poshtë si familje. Unë nuk iu jepja dot kurajë fëmijëve, por edhe fëmijët mua. Filluam punët, të ecnim, sidomos Eltoni, meqënëse kishte pikturën në zemër, bëri një festival në Greqi me shpenzimet e tij, duke i dhënë ndihmë dhe bashkia. Por atje ku thamë të fitonim, ne humbëm sepse Eltoni ishte në pistë me këngëtarët që kishte ftuar dhe tre grekë i dëmtuan të gjitha pikturat, duke i shkelur me këmbë. Kjo përsëri riktheu trishtimin tonë. Për Tonin duhej shumë kohë që t’ia hiqnim këtë mërzitje.”

Gjatë përgatitjeve për 3-mujorin e përkujtimit të bashkëshortit të saj, Eltoni pësoi një aksident me makinën e dhuruar nga i ati. Ai ishte përplasur me një makinë tjetër, në të cilën shoferi ishte dëmtuar shumë, ndaj Eltoni mendoi se kishte ndërruar jetë. Nga kjo frikë, ai pësoi gjendje shoku dhe ra në komë.

“Vrapuam prap në spital, në atë spital që kishte vdekur bashkëshorti. M’u desh prapë të shkoja, ishte shumë e rëndë. E kam mbytur në lot atë spital. I shkoja Tonit pranë i flisja, por ai nuk fliste, 15 ditë ka qëndruar pa folur, i iku zëri dhe fshinin vetëm lotët e tij. I kërkuam atij çunit që të vinte, sepse Toni e mendonte të vdekur. U ngrit, erdhi dhe i shtrëngoi dorën Tonit dhe i tha se të dy jetojnë.”

Kaluan muajt dhe Toni vendosi të bëjë sërish një festival në Selanik. Për herë të parë, ai i lumtur telefonon të ëmën dhe i thotë se gjithçka shkoi mirë dhe kishte shitur shumë piktura.  

“Por nuk zgjati gjatë ky gëzim. Sa u gdhi mëngjesi, ditë e Diel, ora 09:30, mora një telefonatë që Toni shkoi përsëri në spital. Nuk e dija ç’kishte ndodhur. Gjithmonë pyesja veten se pse Toni. Shkoj përsëri në spital, e gjej djalin përsëri në gjendje kome. Nuk më treguan ç’kishte ndodhur sepse unë nuk mblidhja dot veten. Pas 2 ditësh, një doktor më tha që djali kishte prerë damarët. Toni kur bëri festivalin, e kërcënuan jashtë mase në telefon dhe Facebook. Donin t’i merrnin jetën. Nuk mendoja më për burrin, por mendoja për djalin. Lutesha të mos më ndodhte prapë. Pas 4 ditësh djali është përmendur, por nuk gjenim dot fjalë se çfarë t’i thoshim. Më ka ndihmuar shumë vajza që ka, është greke. Jetoi me mua ditë e natë atje.”

Pas gjithë këtyre situatave të trishtueshme, Eltoni vendosi të mos vazhdojë më pikturën. Por pas shumë përpjekjeve nga familja, ai iu rikthye pasionit të tij. Vjollca rrëfen se Eltoni e vuan ende humbjen e të atit, edhe pse kanë kaluar 1 vit e 4 muaj, sepse kanë qenë shumë të lidhur.   

“Toni ka fotografinë e të atit. Natën e mirë i thotë kur vete të flejë dhe mirëmëngjes kur ngrihet. Është e pamundur t’ia heqim. Kur ka dhënë shpirt bashkëshorti, Toni i mbante dorën në zemër. Orën që vdiq babai, nuk e harron kurrë. Ai e ka bërë tatuazh poshtë zemrës, ka vizatuar orën dhe akrepat që ka mbaruar babai.”

Vjollca tregon se bashkëshorti i saj mbante në makinë një disk me këngët e Mariza Ikonomit sepse e pëlqente shumë. Ai ka kërkuar që Toni t’i vendoste një prej këngëve të saj si zile telefoni, por nuk ia vendosi dot sepse nuk e gjeti dhe tani i ka ngelur peng. Ajo shprehet se disku i Mariza Ikonomit do të qëndrojë në shtëpi deri sa të jenë gjallë, jo vetëm ajo, por edhe fëmijët.

Eltoni ka pranuar ftesën për të qenë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” dhe vjen në studion e “E Diela Shqiptare”. Ai shprehet se është shumë kurioz dhe se nuk e di se kush mund të jetë personi që i ka bërë surprizë.

Eltoni shikon në ekranin e murit ndarës të ëmën dhe përlotën të dy.

Vjollca – “

Toni, e bëra publike sepse ti e di sa vuaj shpirtërisht dhe e meriton se çfarë djali je. Dua që sytë tonë të pushojnë nga të qarët, jeta vazhdon! Rrugën që la babai në mes, ne ta vazhdojmë deri në fund. Ti vetë më ke thënë që ai s’kthehet më. Dua që ajo shtëpi që u nxi atë ditë, ti vetë e ke thënë që unë do bëj një dasmë. Sa të rrojë mamaja, ju ta vazhdoni atë gëzim, se edhe babai ashtu donte.  Babai ëndërronte gjithmonë për gëzimet tuaja. Unë dua një premtim nga ty, kokat të mos i mbajmë më ulur. Boll, kaluan 1 vit e 4 muaj, dashi i mamit. Nuk mund të duroja dot më, 20 ditë që qëndruam në Korçë u plagosa jashtë mase. Thosha se çfarë mund t’i bëj këtij djali dhe e mora guximin që të fola sot. Nuk duhet të qash shpirti i mamit. Babi nuk do harrohet në zemrat tona, por në shembullin e tij të vazhdoni ju rrugën.

Eltoni – Unë linda në ’88 në Ersekë dhe u rrita me prindërit e mamit. Në ’92 unë jetoja në Ersekë, ndërsa prindërit në Sarandë dhe vendosën të iknin në Greqi. Në vitin ’97 erdhi babi më mori dhe u lidhëm prapë si familje. Kam dy prindër që punonin ditë-natë që të mos na mungonte asgjë në Greqi.

Jeta vazhdon, një ditë do të martohem, kjo është e sigurtë. Më shumë meqë ishim edhe do jemi familje e lidhur.

Nënë e bir përqafohen dhe shijojnë surprizën që “E Diela Shqiptare” ka përgatitur për ta. Mariza Ikonomi performon “S’të kam harruar”, këngën që u risjell kujtimin më të bukur, një bashkëshort dhe një baba që gjithmonë do të qëndrojë në zemrat e tyre./tvklan.al