Protesta e qytetarëve të Londrës për zjarrin që shkrumboi kullën Grinfell nuk ishte e qetë. Dhjetra manifestues çanë kordonin policor dhe hynë në godinën e Bashkisë së Kensington dhe Çelsit. Ata mbanin në duar pankarta në të cilat shkruhej:

“Ne duam një hetim”

dhe

“Ne duam drejtësi”

 

Disa manifestues u përleshën me forcat policore brenda godinës bashkiake, përpara se të nxirreshin jashtë me forcë. Më shumë se 20 agjentë morën pjesë në aksionin për rikthimin e rendit në ambjentet e administratës lokale.

 

 

Zemërimi i protestuesve vjen pas zbulimit të mediave britanike se bilanci i viktimave mund të jetë të paktën 70 të vdekur. Mësohet se disa manifestues janë arrestuar nga policia.

 

Organizatori i Protestës, Mustafa Mansur përpiloi një listë më kërkesa për të ndihmuar të prekurit nga zjarri i tmerrshëm, të cilën e dorëzoi tek bashkia Kensington dhe Çelsi.

 

 

Në listë kërkohet një impenjim me shkrim nga ana e këshillit komunal për strehimin e menjëhershëm të të gjithë personave të mbetur të pastrehë; zhbllokimin e fondeve të nevojshme për të ndihmuar viktimat; një komision hetimor rreth punimeve të restaurimit të kullës, shpërndarja e listës së plotë të viktimave dhe komision hetimor për të gjitha godinat e ngjashme me pallatin 27 katësh të shkrunbuar që gjenden në zonë. 

 

Ndërsa përgjigja e këshillit komunal ishte se po punon për strehimin e qytetarëve që mbetën të pastrehë. /Abc News