GostivarPërmirësohet gjendja shëndetësore e nxënësve dhe profesorëve të helmuar në ambientet e shkollës së mesme ekonomike të Gostivarit. Pjesa më e madhe e të helmuarve janë lëshuar nga Klinika toksikologjike në Shkup dhe spitali i Gostivarit.

60 nxënës, në mesin e të cilëve kishte dhe profesore u helmuan ndërsa në korridorin e shkollës sipas dyshimeve të para persona të panjohur kishin hedhur gaz helmues. Të gjithë ishin me simptoma të njëjta, djegie të syve, kollitje dhe frymëmarrje të vështirësuar.

Drejtori i klinikës së Shkupit tha se nga analizat e para nuk është arritur të zbulohet lloji i substancës helmuese, megjithatë do të duhet të priten analizat toksikologjike për të mësuar një gjë të tillë.

Sektori i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Gostivar njoftoi se po vazhdojnë hetimet për këtë ngjarje të rëndë. Nxënësit dhe profesorët e helmuar i ka vizituar në Klinikën Toksikologjike në Shkup edhe kryeministri Nikolla Gruevski dhe ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska.

Në shkollën e mesme ekonomike të Gostivarit e ndjekin procesin mësimor rreth 600 nxënës shqiptarë dhe maqedonas, të ndarë në dy turne.