Dhoma amerikane

Dhoma Amerikane e Tregtisë shpreh shqetësimin lidhur me aksionin e nisur nga qeveria kundër informalitetit duke dalë në përfundimin se ashpërsimet në procedurat tatimore kanë  efekt të kundërt dhe i detyrojnë bizneset të falimentojnë. Në një deklaratë për mediat thuhet se palani i masave të marra nga qeveria në vend që të bëhet një nxitje për formalizimin e ekonomisë do të kthehet në një “shkop ndëshkues” për biznesin.

Efektet anësore të këtij aksioni sipas saj e kanë zanafillën tek ndryshimet e ligjit për Procedurat Tatimore, të cilat jo vetëm nuk u diskutuan me organizatat e biznesit, por u zbatuan në terren pa iu lënë kohën e nevojshme subjekteve që t’i njohin dhe t’i zbatojnë ato.

Aksioni kundër informalitetit sipas Dhomës Amerikane duhet  të niste fillimisht me ulje taksash që e nxisin biznesin të bëhet pjesë e ekonomisë formale dhe jo me masa të ashpra penalizuese.

Kur ngre shqetësimin për masa të larta penalizuese, Dhoma Amerikane sjell shembuj duke thënë se në praktikat botërore, gjobat përcaktohen si një përqindje e caktuar mbi nivelin e xhiros apo totalit të taksave të paguara, që do të thotë se një biznes me xhiro vjetore 8 milionë lekë nuk mund të gjobitet 10 milionë lekë, sepse shkakton falimentin e menjëhershëm të biznesit. Sipas saj që të ketë një aksion efikas kundër informalitetit duhet që fillimisht të merren në konsideratë rregullimet në normën e taksave, si edhe incentivat pozitive për bashkëpunim, të cilat mund të jenë gjithashtu pjesë e një zgjidhjeje efikase. Në këtë mënyrë thuhet në deklaratë krijohet një klimë e qëndrueshme duke rritur investimet e huaja, rrit konkurueshmërinë dhe i japin ekonomisë impulse pozitive.

Në një intervistë për Tv Klan, duke komentuar aksionin kundër informalitetit, Dhoma Amerikane e Tregtisë që në nisje bëri thirrje që ky aksion të mos ishte selektiv, por gjithëpërfshirës.

Ndërsa kërkesat për ulje të taksave për bizneset Dhoma Amerikane i ka propozuar edhe në paketën fiskale 2016.

Tv Klan