dhoma-a

Dhoma Amerikane e Tregtisë i kërkon qeverisë shqiptare që në paketën fiskale për vitin 2016, e cila po diskutohet me grupet e interesit, të parashikojë ulje të taksave.

Presidenti Mark Crowford, në një intervistë për Tv Klan thotë se, ulja e taksave është alternativa e vetme që i ka mbetur Shqipërisë, për të nxitur rritjen ekonomike. Duke ulur taksat, shprehet ai, vendi do të bëhet më atraktiv për kompanitë e huaja.

Zoti Crowford thotë se në paketën fiskale 2016 duhet të ulet norma e tatimit mbi fitimin dhe norma e tatimit mbi të ardhurat personale.

Në këtë mënyrë mjedisi do të bëhej më tërheqës për kompanitë e huaja, po kështu do të çlironte edhe biznesin vendas. Përtej propozimeve të bëra për t’i ulur këto taksa, Dhoma Amerikane e Tregtisë, po bën një studim për t’i propozuar vendosjen e një tarife fikse, në vend të tatimit mbi fitimin.

Presidenti i Dhomës Amerikane thotë se janë të shumta rastet kur investitorët e kanë braktisur Shqipërinë, apo kanë refuzuar të investojnë në vendin tonë, vetëm për shkak se taksat janë më të larta se ato të vendeve të rajonit.

Dhoma Amerikane i ka dorëzuar Ministrisë së Financave 21 kërkesat e saj për paketën fiskale 2016.

Veç të tjerash, kërkohet edhe ulja e taksës së qarkullimit, e TVSH –së për Energjinë Elektrike, për sektorin Fason dhe për industri të tjera nga 20% në 6%.

Tv Klan