Dhuna u bë shkak për ndërprerjen e takimit të playoffit mes PAOK-ut të Selanikut dhe Panathinaikosit në kampionatin grek.

Sfida u ndërpre në minutën e 54, pas një aksioni të PAOK-ut që degjeneroi në përplasje mes lojtarëve.

Si të mos mjaftonte kjo trajneri i skuadrës nga Selaniku, Vladan Iviç u godit me kanaçe nga tifozët e Panathinaikosit.

Gjyqtari nuk kurseu kartonët, ndërsa kur dhuna u përshkallëzua nuk u mendua gjatë për të larguar ekipet nga fusha e lojës.  Klubi i Paokut dënoi ashpër goditjen e trajnerit, i cili u transferua në spital ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje.

Ndeshja ishte fiksuar me rezultatin 1 – 0 në favor të Panathinaikosit, që po luante prej minutës së 20’ me 10 futbollistë, pasi portieri Vlachodimos u ndëshkua me karton të kuq.

Në fushën e lojës për Paok ishte edhe Ergys Kaçe, i cili e nisi si titullar por u zëvendësua në pjesën e dytë. Këto sfida shërbejnë për të përcaktuar ekipet që do të marrin pjesë në kupat e Europës.

Pak ditë më parë dhuna vonoi edhe nisjen e finales së Kupës së Greqisë mes PAOK dhe AEK./Tv Klan