Një ditë pas dhunës në parlamentin e Maqedonisë, ku sipas ministrisë së Brendshme mbetën të plagosur 102 persona, përfshirë edhe disa deputetë, ka reaguar Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Të gjithë së bashku i ndoqëm dhe i pamë ngjarjet në Maqedoni. Ngjarjet e përjetuara pas zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit janë shqetësuese. Dhuna nuk zgjidh asnjë problem. Në emër të shtetit tim u uroj shërim të shpejtë të gjithë të dëmtuarve”, tha Erdogan gjatë një fjalimi mbajtur në “Samitin e Këshillit Atlantik” në Stamboll.

Presidenti turk tha se ai priste një “qëndrim të përmbajtur” veçanërisht nga komuniteti turk në Maqedoni, i cili që në krye të herës, sipas tij, ka qëndruar larg këtyre ngjarjeve.

“Urojmë që Maqedonia, një shtet mik dhe vëlla, të rikthehet tek paqja dhe stabiliteti një orë e më parë. Ftojmë të gjitha partitë politike në vend që të gjejnë zgjidhjen e problemeve me rrugën e dialogut dhe mirëkuptimit”, tha Erdogan i cituar nga “Hurriyet”. /tvklan.al