Dhuna në Pogradec dhe Peshkopi është dënuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Reagimi erdhi me anë të një komunikate në faqen zyrtare në internet të FSHF-së. Federata kërkon që këto ngjarje që prishin imazhin e lojës së futbollit duhet të shqyrtohen nga komisionet përkatëse, duke kërkuar zbatimin e rregullores pa toleruar këdo që është përgjegjës.

Federata Shqiptare e Futbollit kërkon që të ruhet gjakftohtësia në këto momente të rëndësishme të garës, pasi këto takime janë përcaktuese për fundin e sezonit. FSHF i bën thirrje tifozerive dhe klubeve të futbollit të mos përfshihen në të tilla shfaqe antisportive.

Ndeshjet Pogradeci – Luftëtari dhe Korabi – Kastrioti përfunduan me dhunë ndaj lojtarëve miq. Këto takime ishin tepër të rëndësishme për ngjitjen në Superligë.

Reagimi i plotë i FSHF

Dhuna e shfaqur në përfundimin e dy ndeshjeve të rëndësishme dhe deçizive të Kategorisë së Parë, Korabi­-Kastrioti zhvilluar në Peshkopi dhe Pogradeci­-Luftëtari në Pogradec, ka shqetësuar seriozisht institucionin e futbollit shqiptar, i cili kërkon të dajë këtë shqetësim edhe me opinionin publik. FSHF, e ndjeshme ndaj akteve të tilla, dënon ashpër dhunën e ushtruar pas përfundimit të dy ndeshjeve të rëndësishme, si të grupit A ashtu edhe të grupit B, të Kategorisë së Parë të luajtura sot pasdite. Federata Shqiptare e Futbollit, dënon dhunën e ushtruar dhe kërkon sa më shumë qetësi dhe gjakftohtësi, në këto momente të rëndësishme të garës. Ajo kërkon nga Komisionet përkatëse që të jenë, sa më të rrepta në zbatimin e rregulloreve, duke mos toleruar askënd, që prishë imazhin e lojës dhe frymën “Fair Play”. FSHF, ju bën thirrje klubeve dhe tifozerive të tyre, që të distancohen nga akte të tilla të dhunshme. Për më tepër, kur bëhet fjalë për skuadra, që tentojnë të bëhen pjesë e futbollit elitar shqiptar. / TV KLAN