Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu u shfaq tepër entuziast para kamerave, më pak se 24 orë pasi presidenti amerikan Donald Trump njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Duke folur në një konferencë në Ministrinë e Jashtme në kryeqytetin që tashmë ka marrë njohjen e parë dhe të fortë ndërkombëtare, Netanjahu kërkoi që të njëjtin hap ta ndërmarrin edhe shtete të tjera. Nuk ngurroi të lavdëronte edhe Donald Trampin.

“Presidenti Trump e lidhi veten përgjithmonë me historinë e kryeqytetit tonë.”

Ndërsa Ismail Hanijeh, kreu i lëvizjes radikale palestineze Hamas tha se palestinezët do ta bëjnë Trumpin të pendohet për këtë vendim të njëanshëm. Ai u bëri thirrje palestinezëve për nisjen e një intifade të re, revolte të dhunshme kundër pushtimit Zionist.

Trazirat tashmë kanë nisur. Protesta të dhunshme shpërthyen paradite në bregun perëndimor. Protestuesit palestinezë u vunë flakën flamujve amerikanë e izraelitë. Vendimi i Tramp për të zhvendosur ambasadën amerikane në Jerusalemin tashmë të njohur si kryeqytet i Izraelit është kontestuar si nga aleatët perëndimorë ashtu edhe ata në botën islame.

/Tv Klan