Parlamenti në Venezuelë është kthyer në një arenë dhune, teksa mbështetës të qeverisë mësynë në sallën e plenare dhe goditën deputetë e gazetarë.

Dhjetëra parlamentarë mbetën të plagosur si pasojë e sulmit, disa prej tyre me plagë të rënda në kokë. Agresorët përdorën sende të forta dhe bomba tymuese.

Dëshmitarët thanë se agresioni nisi kur në parlamentin e kontrolluar nga opozita po mbahej një sesion mbi Ditën e Pavarësisë.

Sipas mediave vendase, agresorët janë një grup pro presidentit Nicolas Maduro, i quajtur Colectivos. Ata janë kthyer në tmerrin e qytetarëve pasi prej ditësh tentojnë të shtypin protestat kundër regjimit të presidentit, madje duke përdorur edhe armët. Në momentin e sulmit, presidenti Maduro po mbante një fjalim në një pjesë tjetër të qytetit, me rastin e Ditës së Pavarësisë.

Ngjarja në parlamentin venezuelian vjen pak ditë pasi një helikopter i policisë u rrëmbye dhe nisi të hidhte granata mbi kryeqytetin Caracas. Presidenti Maduro e cilësoi këtë ngjarje si një sulm terrorist, por rrembyesi ishte një oficer policie kundër regjimit në fuqi.

Tv Klan