Ish-kryeredaktorja e të përditshmes kosovare

Zëri

dhe anëtarja e re e Partisë Demoratike të Kosovës, Arbana Xharra është dhunuar fizikisht gjatë orëve të vona të së shtunës, nga persona të paidentifikuar.

Sulmi, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur në afërsi të banesës së saj, pas orës 01:00. Ajo u dërgua në spitalin e Prishtinës dhe siç mund të shihet edhe në foto, Xharra ka marrë lëndime të shumta në trup.

“Sipas informacioneve fillestare dyshohet se viktima është sulmuar fizikisht nga persona të panjohur deri më tani. Viktimës i është ofruar tretmani mjekësor në QKUK, të cilët kanë vlerësuar se gjendja e saj është stabile. Policia e Kosovës me zyrtarët e saj kompetent, është duke kryer hetime intensive me qëllim të zbardhjes së rastit dhe sjelljes së personave të dyshuar përpara organeve të drejtësisë”

, thuhet në një njoftim të Policisë së Kosovës”.

Sulimin mbi Xharrën e ka dënuar ministri i jashtëm në largim, Enver Hoxhaj i cili ka thënë se ‘

është i tronditur nga ajo që mund t’i ndodhë një gruaje, një nëne dhe mbi të gjitha një aktivisteje të guximshme në tërë këto vite që nuk ka hezituar t’i thotë hapur dhe pa frikë gjërat të cilat i mendon’.

“Kemi dështuar të tërë që nuk kemi mbrojtur një grua e cila i thotë mendimet ndryshe. Jo toleranca jonë ndaj njerëzve që nuk pajtohemi me ta po na shtyn drejt këtyre ngjarjeve të papranueshme. Mjaft më! Të bashkëndjejmë të gjithë. Ta dënojmë të gjithë! Sulmuesit para drejtësisë”

, ka shkruar Hoxhaj në rrjetin e tij social Facebook.

Arbana Xharra ishte laureate e Çmimit Ndërkombëtar për Gra të Guximshme, që ndahet nga sekretari amerikan i shtetit dhe një prej zërave kritik në shoqërinë e Kosovës.

Ajo la gazetarinë dhe iu bashkua jo më shumë se një javë Partisë Demokratike të Kosovës, hap ky që nxiti një debat kryesisht në rrjetet sociale.

Xharra ishte e kërcënuar edhe herë të tjera për shkak të qëndrimit të saj ndaj dukurive në shoqërinë e Kosovës, dhe Policia në disa raste ka hapur hetimet për kërcënimet ndaj saj.

Sulmi i të shtunës është dënuar përgjithësisht edhe nga pjesëtarë të shoqërisë civile.

/REL/tvklan.al