Durrsakët dhe kuksianët më pak kontakte me mjekun e familjes

Sipas të dhënave të INSTAT, qytetarët e Dibrës kishin numrin më të madh të kontakteve me mjekun, pavarësisht masave kufizuese anti-covid gjatë vitit 2020.  Mesatarisht në vitin 2020 një banor i qarkut kontaktoi mjekun e familjes në shërbimin parësor 3.7 herë.

Të dytët për numrin e madh të vizitave ishin qytetarët e Gjirokastrës me 3.5 vizita për banorë. Gjirokastra ka popullsinë më të plakur në vend e për rrjedhojë ka më shumë të sëmurë kronikë që kërkojnë shërbime më të shpeshta shëndetësore. Më tej rendin banorët e Lezhës me 3.3 kontakte me mjekun e familjes gjatë vitit.

Në krahun tjetër banorët e Kukësit kishin numrin më të ulët të kontakteve me mjekun e familjes në rang vendi me vetëm 1,9 vizita për banorë më 2020 dhe më tej Durrësi me 2 vizita për banorë.

Shërbimi i kujdesit shëndetësor parësor është pika e parë e kontaktit të popullsisë për zgjidhjen e problemeve shëndetësore.Institucionet bazë që ofrojnë këto shërbime janë poliklinikat dhe qendrat shëndetësore.  Numri më i madh i këtyre institucioneve është përqendruar në qarqet ku dhe popullsia është më e lartë, në Tiranë, Elbasan dhe Fier. Gjatë vitit 2020, numri mesatar i kontakteve të popullsisë në shërbimin parësor në nivel vendi, është 2.6 kontakte për person.

Klan News