Impuls i ri për tejkalimin e krizës politike është vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së dhe e të dërguarit special i ministrisë së Jashtme të Gjermanisë për Evropën Juglindore dhe Turqinë në Shkup.

I dërguari special i ministrisë së Jashtme të Gjermanisë për Evropën Juglindore dhe Turqinë, Kristian Helbah pas takimit që realizoi me liderët e partive politike shqiptare, ka deklaruar se nuk sheh asgjë shqetësuese në Platformën e përbashkët shqiptare. Ai madje është shprehur i bindur se Ivanov duhet t’i japë mandatin shumicës parlamentare, që me këtë t’i hapë rrugë formimit të qeverisë së re. “Jemi të bindur se Ivanovi duhet t’i lejoj shumicës parlamentare që sa më shpejtë në Kuvend të formoj qeverinë e re. Është shumë e rëndësishme që Specialja te vazhdoj me punën e saj në bashkëpunim me institucionet tjera. Partitë politike të kenë kujdes dhe mos të përdorin gjuhën e urrejtjes, tensionet duhet të ulen”, deklaroi i dërguari special i ministrisë së Jashtme të Gjermanisë për Evropën Juglindore dhe Turqinë, Kristian Helbah.

Në takime u riafirmua përkrahja nga Gjermania për përpjekjet e Maqedonisë drejt integrimit evropian. Shteti gjerman edhe njëherë dëshmon se është i interesuar për stabilitetin dhe sigurinë e Maqedonisë, janë shpreh përfaqësuesit e partive politike që u takuan me diplomatin gjerman.

Zanieri : Shumica parlamentare merr detyrimet e qeverisë

Në Maqedoni po qëndron edhe sekretari i përgjithshëm i OSBE-së Lamberto Zanieri. Para ardhjes së tijë në Shkup ai theskoi në një shkrim se kriza e vazhduar politike është e dëmshme për vendin dhe e dëmton popullin. “Kjo është koha kur liderët politikë duhet të marrin përgjegjësi dhe të tregojnë se veprojnë në përputhje me interesin afatgjatë të vendit dhe jo vetëm në interes të partive të tyre”, shkruan Zannieri. Sipas tij ligjet fundamentale të demokracisë duhet të mbisundojnë dhe nuk duhet lejuar provokimi i mesazheve për të shkaktuar tensione ndëretnike, sepse interesat e qytetarëve janë në vend të parë.

“Vende të ndryshme në rajon të OSBE-s kanë përvoja të ndryshme dhe modele të ndryshme qeverisëse, por rregulla e përgjithshme e cila kalon gjithkund në hapësira e OSBE-së është se kur një parti politika ka koalicion dhe ka shumicën e deputetëve në kuvend, ajo i merr detyrimet e qeverisë”, vlerëson Zannier.

Partitë politike nuk luhaten nga qëndrimet e tyre

Partitë politike në Maqedoni po vazhdojnë të mbrojnë pozicionet e tyre duke e zhytur vendin në krizë edhe më të thell politike. Lideri socialdemokrat Zoran Zaev ka pohuar për mediat e huaja se mund të kërkojë miratimin e parlamentit për krijimin e qeverisë së re, duke anashkaluar kështu kompetencat e presidentit Gjorgje Ivanov. “Ne do të donim ta merrnim aprovimin zyrtar të presidentit, por kjo tani nuk ka më rëndësi.Në çdo shtet normal, ku presidenti ka vetëm pushtet ceremonial, ai është i detyruar t’ia dorëzojë mandatin ligjvënësve që sigurojnë shumicën në Parlament. Ivanov përdori një arsyetim qesharak që të mos na e dorëzojë. Është traditë e mirë që t`ia kërkosh dorën e nuses babait të saj, por edhe nëse ai nuk pranon, ti prapë mund te martohesh”,ka thënë liderit i  LSDM-së Zoran Zaev.

Kryesia e VMRO-DPMNE-së udhëzoi lidershipin e partisë të vazhdojë luftën kundër përpjekjeve për të tjetërsuar Maqedoninë duke e kthyer në shtet binacional.VMRO vazhdon të mbështes idenë se rrugëdalje e vetme nga ngërçi politik është mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Kriza në Maqedoni mund të zvarritet me vite të tëra e nuk është çudi që të përdoret nga disa politikanë për të ndezur një konflikt etnik , ka paralajmëruar kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në një intervistë për mediat e huaja. “Kjo është një krizë politike, ndaj duhet zgjidhur me mjete politike e jo të kthehet në një problem ndëretnik, nga i cili të përfitojnë parti të caktuara”, është shprehur Ahmeti. Ngërçi politik  sipas Ahmetit rrezikon të zgjasë deri në 4 vjet, kur do të mbahen zgjedhjet e reja.

Letra e Ivanovit dërguar ndërkombëtarëve

Presidenti Ivanov, përmes një letre dërguar presidentit amerikan Donald Trump, kryetarit të Këshillit të Evropës, Donald Tusk, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg dhe presidentit të Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, kërkoi që të dënojnë dhe ta hedhin poshtë Platformën e partive shqiptare për shkak të siç ka thënë “përmbajtjes së saj të rrezikshme për shtetin maqedon”.

Analisti Alajdin Demiri  vlerëson se presidenti po synon ta ndërkombëtarizojë një problem inekzistent, me qëllim që të lë nën hije problemin e vërtetë luftën kundër krimit dhe shtetin e kapur. “Pozicioni i Ivanovit e çon Maqedoninë drejt shkatërrimit. Ai në këtë shkatërrim do t’i implikojë dhe të gjitha shtetet dhe forcat relevante ndërkombëtare që mendojnë ndryshe. Ivanov nuk ka aspak të drejtë që gjuhën shqipe ta trajtojë si gjuhë armiqësore dhe aq më pak nuk ka të drejtë që platformën e partive politike të partive politike shqiptare ta trajtojë si platformë të një shteti të huaj”, thekson Alajdin Demiri.

Analisti politik Nikolla Dujovski vlerëson se presioni i faktorit ndërkombëtar dhe porositë e ashpra të diplomatëve të huaj pak ka gjasa që të kontribuojnë që presidenti Ivanov ta ndryshojë vendimin. Ai thotë se Maqedonia është shtet parlamentar dhe deputetët duhet ta marrin situatën në duar. “Realisht më i realizueshëm mbetet opsioni që parlamenti të mblidhet, ta zgjedhë kryetarin e parlamentit, të fillojë procesi i formimit të qeverisë së re. Pra zgjidhja duhet kërkuar në këtë drejtim”, thotë Dujovski./DW