Vendimet e Asamblesë Kombëtare, të zhvilluar fundjavën e shkuar, janë diskutuar në kryesinë e Partisë Socialiste, që u mblodh mëngjesin e kësaj të marte në selinë rozë.

Mbajtja e zgjedhjeve për kryetar partie në bashkitë ku ende nuk janë zhvilluar, ishte një nga çështjet organizative që është diskutuar, ndërsa përgatitja për zgjedhjet lokale të 2019 ishte një tjetër temë që ka marrë kohë dhe diskutime në mbledhjen që ka zgjatur rreth 90 minuta.

Zëdhënësja e kryesisë, Elisa Spiropali thotë se ky forum ka diskutuar dhe për axhendën europiane, e cila sipas saj nuk është vetëm ne fokusin e qeverisë, por dhe Partisë Socialiste, duke bërë krahasim këtu dhe me opozitën, që sipas saj ka vendosur interesin partiak mbi çdo interes kombëtar.

“Kemi një marrëdhënie shumë të mirë me Bashkimin Europian. Jemi në një pikë shumë të rëndësishme, pavarësisht zhurmës, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të opozitës për të krijuar zhurmë në vend. Ne padiskutim vëmë axhendën e Shqipërisë përpara axhendës politike të ditës. Fatkeqësisht, kjo nuk është retorika apo politika e opozitës”.

Kryesocialisti Rama, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare deklaroi se procesi i çeljes se negociateve me BE po kërcënohet nga brenda Shqipërisë, nga njerëzit që sipas tij, nuk duan Reformën në Drejtësi, duke nënkuptuar 2 partitë kryesore të opozitës.

Tv Klan