Policia në Florida thotë se po heton terrorizmin si motiv të mundshëm për sulmin e së premtes në aeroportin “Fort Lauderdale”.

Duke folur me gazetarët të shtunën, George Piro, agjenti special i FBI-së në krye të divizionit të Majamit tha se policia “po vazhdon ta shqyrtojë terrorizmin si mundësi”, por shtoi se është shumë herët për të bërë publik informacion lidhur me motivin e sulmit.

Ai përmendi gjithashtu sëmundjen mendore si një faktor të mundshëm për sulmin e bërë nga 26-vjeçari Esteban Santiago, nga Alaska.

Aeroporti në Florida, u rihap të shtunën pasi i riu i armatosur vrau pesë persona dhe plagosi tetë të tjerë të premten para se të arrestohej.

Sipas njoftimeve, Esteban Santiago është ish-anëtar i Gardës Kombëtare, i cili shërbente në Portoriko. Vitin e kaluar, ai shkoi vullnetarisht në një spital për vlerësim të shëndetit mendor.

Njoftohet të ketë thënë se ai dëgjonte zëra imagjinarë, disa prej tyre që i thonin t’i bashkohej grupit terrorist Shtetit Islamik.

Santiago shërbeu 10 muaj në Irak në vitin 2010 dhe 2011. Pastaj iu bashkua Gardës Kombëtare në Alaskë. Ai besohet të ketë shërbyer në Gardë që nga viti 2014 deri në gusht të vitit të kaluar, kur u shkarkua për mangësi në zbatimin e detyrës./ tvklan.al